Përfaqësuesja demokrate në Kongresin amerika, Ilhan Omar u shënjestrua mbrëmjen e së martës, 27 janar, gjatë një fjalimi në Minneapolis, nga një burrë që e spërkati me një lëng të paidentifikuar, duke përdorur një shiringë. Agresoi u bllokua menjëherë nga rojet e sigurisë, dhe u shoqërua jashtë mjediseve ku zhvillohej takimi, ndërsa Omar, një objektiv i shpeshtë i sulmeve të Presidentit Donald Trump, vazhdoi fjalimin e saj, duke deklaruar: "Ne mbetemi të palëkundur përballë çdo gjëje që mund të na hedhin".
Ndërsa politikania e krahut të majtë fliste nga një foltore, burri doli përpara dhe përdori shiringën për ta spërkatur me lëng. "Siguria dhe policia e Minneapolis arrestuan shpejt individin, i cili tani është në paraburgim", tha zyra e Omar në një deklaratë. "Kongresmenja është mirë. Ajo vazhdoi tubimin e saj publik sepse nuk do t'i lërë ngacmuesit të fitojnë". Eventi u mbajt në qytetin e saj të lindjes, Minneapolis, i cili është tronditur për javë të tëra nga operacionet e zbatimit të ligjit për imigracionin dhe vdekjet e dy personave që protestonin kundër tyre.
"Do të vazhdojmë, ata nuk do t'ia dalin mbanë me këtë," deklaroi Omar menjëherë pas sulmit. "Duhet të shfuqizojmë një herë e mirë, zbatimin e këtyre ligjeve për imigracionin," i kishte thënë ajo më parë turmës, duke shtuar se Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem "duhet të japë dorëheqjen".
Ilhan Omar, një figurë e shquar e së majtës amerikane me origjinë somaleze, ka qenë prej kohësh një shënjestër e së djathtës amerikane, veçanërisht të Trumpit. Presidenti e përmendi atë përsëri të martën në një fjalim në Ioëa: "Ajo vjen nga një vend që është një katastrofë, nuk është as një vend, sinqerisht," tha manjati, i cili ka intensifikuar sulmet e tij ndaj Somalisë për muaj të tërë.
Për televizionin ABC, Presidenti Donald Trump tha se Omar ishte "një mashtruese" dhe se kishte qenë ajo vetë që kishte organizuar sulmin.









Komente
Komento