Gjate mbledhjes se Keshillit te Ministrave
TIRANË, 25 Qershor /ATSH/ -Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e tarifave të lejeve të mjedisit.
-Vendimi i plotë për miratimin e tarifave të lejeve të mjedisit
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, "Për lejet e mjedisit", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e vlerave përkatëse të tarifave për:
a) kërkesën për leje mjedisi të tipave A, B ose C;
b) kërkesën për një ndryshim të kushteve të lejes përkatëse të mjedisit të tipit A ose të tipit B;
c) tarifën vjetore për instalimet e tipave A, B dhe C.
2. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me atë që u jepet përkatësisht në:
a) ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, "Për lejet e mjedisit", të ndryshuar;
b) ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, "Për mbrojtjen e mjedisit", të ndryshuar;
c) ligjin nr.10081, datë 23.2.2009, "Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë".
3. Tarifa përkatëse e shërbimit për shqyrtimin e kërkesës është, si më poshtë vijon:
a) Për leje mjedisi të tipit A, 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
b) Për leje mjedisi të tipit B, 30 000 (tridhjetë mijë) lekë;
c) Për leje mjedisi të tipit C, 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
ç) Për ndryshim të kushteve të lejes së mjedisit të tipit A, 20 000 (njëzet mijë) lekë;
d) Për ndryshim të kushteve të lejes së mjedisit të tipit B, 10 000 (dhjetë mijë) lekë.
4. Operatorët paguajnë në llogari të ministrisë tarifën vjetore për:
a) instalimet e tipit A, në shumën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh;
b) instalimet e tipit B, në shumën prej 5 000 (pesë mijë) lekësh.
5. Operatorët e instalimeve të tipit C paguajnë një tarifë vjetore prej 2 000 (dy mijë) lekësh në llogarinë bankare të ARM-së së qarkut përkatës.
6. Tarifa vjetore paguhet brenda 3-mujorit të parë të vitit dhe një kopje e mandatpagesës dorëzohet pranë ARM-së së qarkut ku ndodhet instalimi.
7. Tarifa derdhet nga kërkuesi në llogarinë bankare të Ministrisë së Mjedisit dhe është e pakthyeshme. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat e përcaktuara në këtë vendim derdhen në buxhetin e shtetit.
8. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, udhëzimi nr.5, datë 28.12.2007, i ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, "Për tarifat e shërbimit për leje mjedisore", shfuqizohet.
9. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, agjencitë rajonale të mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave dhe Qendra Kombëtare e Licencimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare". /gj.m//a.ke/