TIRANE- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi seancën e djeshme nen për nen projektbuxhetin 2014, i cili pritet që të miratohet në tërësi sot në seancën plenare. Gjatë mbledhjes së djeshme janë rrëzuar edhe amendamentet që kishte propozuar LSI për të mos rritur tatim fitimin në industrinë e fasonit, ku për të cilat zv.ministri i Financave, Ervin Mete tha se kjo do të kishte efekte të mëdha negative në buxhet.

"Për shkak të efektit të konsiderueshëm në buxhet, ne nuk mund ta mbështesim tani këtë si masë. Siç ju thashe edhe një ditë më parë, është në synimin tonë që në një të ardhme jo të largët të shohim një paketë totale masash për një sërë sektorësh", tha Mete. Refuzimi duket se nuk është mirëpritur nga LSI. Deputeti i saj në Komisionin e Ekonomisë, Përparim Spahiu, tha se vendimi do rëndojë industrinë e fasonit dhe mund të largojë investimet nga Shqipëria. "Një rritje prej 15 për qind them që do ta frenojë këtë biznes, në mos do t'i mbyllin disa biznese fasone", tha Spahiu. Gjithashtu dje Komisioni mori në shqyrtim raportet e komisioneve të tjera të Kuvendit, të cilat propozonin shtesë fondesh për disa institucione.

Taksa e banesave
Ministria e Financave propozoi që të mos aplikohet rritja e taksës së banesave për godinat e pa shitura, me argumentin se apartamentet janë stok. Komisioni pranoi propozimin e zv/ministrit Mete, duke marrë edhe aprovimin e deputetëve të opozitës. Gjithashtu Komisioni i Ekonomisë vendosi që taksa e banimit të mbetet 10 lekë, ndërsa taksa për ndërtesat e biznesit të bëhet 40 lekë. "Është e vërtetë që në momentin që ato janë stok trajtohen si ndërtesa për efekt tregëtie dhe biznesi dhe e gjithë sipërfaqja taksohet me tarifën e biznesit. Nga niveli 200 lekë që aplikohet sot për tarifat e biznesit, të zbresim në nivelin 30 lekë për ato që janë apartamente të pashitur. Ndërsa me taksimin e ri do të shkonte 400 lekë. Qëndrimi që ne mbajmë është që jemi dakort që për to të mos aplikohet rritja, por jo të kemi ulje taksash."- tha Mete.

SHTESE FONDESH INSTITUCIONEVE  
Komisioni gjatë seancës së sotme mori në shqyrtim raportet e komisoneve të tjera të Kuvendit, të cilat propozonin shtesë fondesh për disa institucione. Komisioni i Ekonomisë miratoi shtesë fondesh për disa institucione si Presidencës, 20 milionë lekë, Akademisë së Shkencave 8 milionë lekë, Radio Televizionit Shqiptar 8 milionë lekë, Prokurorisë së Përgjithshme 15 milionë, për Programin e Menaxhimit të Infrastrukturës së Kullimit dhe Ujitjes 100 milionë lekë, për ministrinë e Mjedisit për programin e Administrimit të Pyjeve rreth 440 milionë lekë. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Brace, i kërkoi ministrisë së Financave që në buxhet të parashikohet fondi për ndërtimin e Unazës së Pogradecit, si dhe të zgjidhë problemet e projektit që ka Unaza e Madhe e Tiranës, në zonën e “Kristalit”.

Ndërkohë që para miratimit në Parlament të projektbuxhetit për vitin 2014, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kundërshton taksën progresive, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme për ekonominë e vendit. "Taksa progresive është e papërshtatshme në kushtet aktuale, pasi duhet të kemi parasysh të paktën dy momente kritike që po kalon vendi. E para informaliteti është në shifra të frikshme dhe një rritje e tarifave nuk mund të ndikojë pozitivisht në luftën kundër informalitetit dhe e dyta janë kushtet dhe konkurrenca e rajonit, pra vendet e rajonit kanë paketa shumë më atraktive me tarifa të ulëta gjë e cila bën të pamundur funksionimin e taksës progresive në një vend të përfshirë në këtë rajon", u shpreh Nikolin Jaka.


Shkrimi u publikua sot (28.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)