TIRANE- Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me votat pro të mazhorancës ligjin i cili i jep të drejtë anëtarëve të rinj të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të vendosin vetë për pagën e tyre dhe të kryetarit. Në këtë mënyrë listës së institucioneve të pavarura të cilat vendosin vetë pagën e tyre, i shtohet edhe autoriteti i cili ka në dorë tregun e sigurimeve, ai i Mbikëqyrjes Financiare. Ky projektligj ka sjellë jo vetëm reagimin e opozitës por edhe kundërshtimin e saj.
 
“Ne si opozitë mendojmë që kjo është në kundërshtim me nevojën për të forcuar disiplinën financiare. Këto ndryshime janë absurde dhe kërkojnë spastrime në institucione”, tha Bode.
 
“Ky është paragjykim dhe folklorizëm që e bëjnë shoku Sali dhe Lulëzim. FMN dhe BB na kanë kërkuar pavarësi financiare dhe ndryshimet janë bërë për këtë fakt”, reagoi Braçe.
 
Ndërsa deputeti i PD, Sherefedin Shehu, tha se “Situata ekonomike në vend është e vështirë, pasi nuk ka rritje të punësimit. Shumica të tërheqë mbrapsht ndërhyrjet në AMF, por edhe ato që ke thënë për Bankën e Shqipërisë”.
 
“Kriteri ligjor, rekomandues dhe profesional s’na lejon të devijojmë. Kriterin politik dhe personal s’kemi pse ta diskutojmë”, tha Anastas Angjeli.
 
Komisioni i Ekonomisë më anë të një rezolute pak ditë më parë i rekomandoi Bankës së Shqipërisë të bënte kujdes me pagat e larta dhe bonuset që shpenzohen për punonjësit e saj. Në fakt piramida e pagave në shumë institucione të pavarura nuk respekton hierarkinë institucionale, pasi guvernatori i Bankës Qendrore e ka rrogën më të lartë se Presidenti.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)