Një i kërkuar për tentativë vrasje në Mirditë ka qëlluar mbi policinë mesditën e kësaj të diele. Amarildo Ndoj, 25 vjeç, banues në Rrëshen - Mirditë ndiqej nga policia pasi rezulton i dënuar me 8 vite burg për tentativë vrasje.

Në momentin kur forcat e policisë kanë tentuar ta prangosin atë, ai ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të uniformave blu. 

Duke përfituar edhe nga errësira e terreni malor, 25-vjeçari është arratisur në drejtim të paditur, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë.  

Ndoj

Ndoj
(Amarildo Ndoj, 25 vjeçari në kërkim nga policia)

Njoftimi i policisë
Me datë 26.11.2016, u referuan materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, u bë shpallja në kerkim si dhe vazhdon puna për kapjen e shtetasit : 

*Amarildo Ndoj, 25 vjeç, banues në Rrëshen - Mirditë.

Ky shtetas është në kërkim pasi  është i dënuar me 8 vite burgim për veprat penale "Vrasje e mbetur në tentativë" "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake" dhe në vazhdim të punës për kapjen dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të tij, nga efektivët e policisë Mirditë, është bërë i mundur lokalizimi i tij në vendin e quajtur Kodër - Rrëshen. 

Në momentin e afrimit të punonjësve të policisë, shtetasi Amarildo Ndoj, ka kanosur me armë zjarri pistoletë punonjësit e policisë  duke qëlluar në ajër si dhe ka arritur të largohet  duke përfituar nga errësira dhe terreni malor. 

Në vendngjarje u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë e cila dyshohet se është përdorur nga autori si dhe një gëzhojë. 

Veprat penale në ngarkim të tij , "Kanosja" "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit" "Kanosja për shkak të detyres" parashikuar nga nenet  84, 278 dhe 238 të Kodit Penal.


Kush është Amarildo Ndoj?
Në vitin 2009-ë, në qytetin verilindor të Rrëshenit, vritet 20-vjeçari Edison Jaku përballë shtëpisë së tij dhe 20 metra larg portës kryesore të Komisariatit Mirditë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20, ku shtetasi Tonin Biba në bashkëpunim me Amarildo Ndoj ekzekutojnë me breshëri automatike 20-vjeçarin Edison Jaku.

Viktima ishte duke u kthyer nga puna si kamerier në një internet-kafe të qytetit, kur është qëlluar me breshëri automatiku nga dy persona. Pas nisjes së hetimeve, policia ka identifikuar dy autorë të mundshëm të ngjarjes dhe u vu në kërkim të tyre.

Fillimisht në prangat e policisë ka rënë Amarildo Ndoj, i cili u prangos gjatë orëve të paraditës, ndërkohë që vetëm disa orë më pas është arrestuar dhe autori i dytë, Tonin Biba.

Një fakt interesant në lidhje me Ndojn në momentin e arrestimit në vitin 2009 në Rrëshen, është se në kohën kur është kapur nga policia e Lezhës, ai kishte hedhur nga dritarja e apartamentit armën e krimit pistoletë e tipit “TT” dhe, ishte shtrirë për të fjetur.

Me pretekstin se ai nuk kishte kryer asnjë krim për të cilin akuzohej. Familjarët e tij, kanë mbetur të shokuar dhe as nuk e prisnin se djali i tyre, mund të kishte marrë pjesë si autor në një krim të tillë makabër.

Viktima, Edison Jaku, ishte masakruar i gjithi nga breshëria e plumbave. Kjo ngjarje, tronditi thellësisht, qytetin e vogël dhe të qetë të Rrëshenit.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com