Mirditë - Një 27-vjeçar ka rënë në prangat e policisë për kultivim kanabisi. I riu u kap nga ‘mat’ nga dronët e bluve në fshatin Dardhëz, në një zonë të pyllëzuar.
Gjatë kontrolleve të kryera blutë gjetën në një miniserë të improvizuar, disa platforma polistiroli në të cilat ishin kultivuar fidanët e kanabisit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, si rezultat i kontrolleve, hetimeve me metoda proaktive dhe punës operative, kryer me objektiv konstatimin që në fazë të hershme dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, zhvilluan operacionin e koduar “Faza fillestare”.
Në kuadër të operacionit, në fshatin Dardhëz, në zonë të pyllëzuar, u gjetën në një miniserë të improvizuar, disa platforma polistiroli në të cilat ishin kultivuar fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap në afërsi të vendit ku u gjetën fidanët, dhe u vu në pranga autori i dyshuar i kultivimit të tyre, shtetasi K. Gj., 27 vjeç, banues në fshatin Shënkoll, Lezhë.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë në të gjithë territorin e qarkut”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente





