Këndi i Ekspertit/ Mishi i huaj i mitrës, nga se shkaktohet dhe si kurohet

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Ledia Toro, mjeke gjinekologe pranë Spitalit SALUS. Mjekja ka folur për problemet gjinekologjike, kryesisht për fibromioma uterinen, ose siç njihet ndryshe, mishi i huaj në mitër, sëmundja më e shpeshtë te gratë e moshave riprodhuese. Ekspertja jonë ka sqaruar se çfarë është kjo sëmundje dhe nga se shkaktohet. Mjekja Ledia Toro më pas ka folur edhe për dignoztikimin, kurimin dhe pasojat e kësaj sëmundje.

Sot do të flasim për problemet gjinekologjike, kryesisht për fibromioma uterinen, ose siç njihet ndryshe, mishi i huaj.

Çfarë është kjo sëmundje dhe nga se shkaktohet? Si kurohet?

Kjo është patologjia beninje më e shpeshtë te gratë e moshave riprodhuese. Është një ndër patologjitë, për të cilat ato paraqiten më shpesh në departamentin e gjinekologjisë. Është një sëmundje që ka një natyrë krejtësisht beninje, që karakterizohet nga një rritje e shtresës muskulore të mureve uterine, një rritje deri diku e pakontrolluar, në formën e disa noduseve ose në formën e disa gungave, të cilat e marrin origjinën pikërisht nga muskulatura e lëmuar e paretit uterin. Këto mund të arrjnë përmasa të ndryshme, nga përmasa shumë të vogla mikrofolikulare deri edhe në përmasa shumë të mëdha. Janë masa shumë të forta, të rregullta, të rrumbullakëta. Këto njihen ndryshe edhe si mishi i huaj i mitrës.

Pra, siç e thashë, kjo është një patologji që prek kryesisht gratë e moshave riprodhuese dhe përgjithësisht, në shumicën e rasteve, prek gratë rreth moshës 35-45 vjeç sepse për nga vetë natyra e tyre, ato janë masa që ndikohen shumë nga hormonet. Pra, në periudhën e ndryshimeve të mëdha hormonale, me rritjen e estrogjenit dhe të progesteronit, ato i përgjigjen shumë mirë kësaj lloj rritjeje, për shkak të receptorëve të shprehur që ato kanë në sipërfaqe ndaj këtyre hormoneve.

Si diagnostikohen këto noduse?

Këto diagnostikohen me anën e një ekografie trasabdominale. Ky është ekzaminimi i parë dhe shumë i rëndësishëm i diagnostikimit të këtyre masave.

Cilat janë simptomat, të cilat paralajmërojnë që kemi të bëjmë me këtë lloj patologjie, pra me mish të huaj në mitër?

Deri në 25% e grave të moshave riprodhuese preken nga fibromiomet, por vetëm 25% e tyre ose më pak janë simptomatike. Pjesa më e madhe mund të diagnostikohen fare rastësisht me ekzaminime rutinë gjinekologjike ose gjatë një ekzaminimi bimanual gjinekologjik ose kur bën një eko abdominale ose një skaner apo një ekzaminim tjetër për arsye të tjera shëndetësore, pra ppatologji të tjera. Shenjat tipike, kur gratë kanë simptoma të fibromioma uteri janë hemorragjitë, të cilat mund të jenë në formën e një zgjatjeje të ciklit menstrual, që ne e quajmë ndryshe menoragji, pra kur një cikël menstrual zgjat më shumë sesa 8 ditë dhe vazhdon. Mund të jetë hemorragji e shprehur me copa, me koagula, aq sa mund ta anemizojë gruan në një periudhë të shkurtër kohore. Por mund të jenë edhe hemorragji të tjera që mund tëjenë në periudhën intermenstruale, hemorragji që rrallë mund të jenë pas aktit seksual. Përgjithësisht hemorragjia është ajo shenja e alarmit, sepse një rrjedhje e pakontrolluar e gjakut, veçanërisht jashtë periudhës së ciklit menstrual, është ajo shenjë alarmi e cila i drejton gratë në shërbimin gjinekologjik. Por jo vetëm kjo. Simptomë tjetër mund të jenë edhe dhembjet, të cilat vijnë si rezultat edhe i përmasave të fibromiomave, por edhe si rezultat i efekteve kompresive që ato bëjnë në organet pelvike, p.sh. mund të jetë në formën e një diskonforti pelvik ose mund të jetë në formën e një dhembjeje mesi, dhembje gjatë aktit seksual, mund të jetë një dhembje që nuk mund ta lokalizosh saktësisht se ku gjendet, por e ndjen në formën e diskonfortit. Pra dhembja është një shenjë jo tipike dhe jo specifike për prezencën e fibromiomave, por zakonisht është një shenjë orientuese që të drejton drejt mjekut.

A duhet të tremben femrat në momentin kur mësojnë se kanë mish të huaj në mitër?

Jo, nuk kanë përse të tremben. Prezenca e një nodusi fibromatoz, pavarësisht se e ka emrin tumor beninj, nuk është arsye për t’u shqetësuar. Nga kjo sëmundje preket një përqindje shumë e madhe e femrave. Por, duke qenë se është beninje, pra është e kufizuar, nuk lëshon metastaza dhe më pak se një në njëmijë raste ose e përkthyer ndryshe, më pak se 1%, ajo ka efekt që të malinjizohet dhe të shndërrohet në një sarkom. Pra mundësitë e transformimit malinj të saj janë shumë të pakta. Ajo zakonisht i rrit përmasat e saj aty, pa u përhapur dhe pa lëshuar metastaza në organet e tjera. Pra ka një sjellje krejtësisht beninje. Sigurisht që ka edhe forma, siç është sindromi Rid, në të cilin përveç prezencës së fibromiomave uterine ka edhe prezencë të fibromiomave në nivel nën lëkurë, ka prezenca edhe të fibromiomave jashtë mitrës, por mund të ketë edhe prezencë të një kanceri renal. Prandaj quhet sindromi Rid. Ky është një sindrom që zakonisht është i trashëgueshëm. Ai vjen si rezultat i një mutacioni që trashëgohet si patologjia autosomale dominante, por që është shumë i rrallë. Ai ka edhe shenja të tjera të cilat të orientojnë drejt kësaj patologjie.

Cilat janë efektet pas ndërhyrjes që bëhet te mishi i huaj në mitër? A ka rrezikshmëri që gruaja të mos mbetet shtatzënë?

Duhet që ta ndajmë këtë problematikë. Pas trajtimit kirurgjikal, i cili presupozohet që është një trajtim definitiv në rastin e një histerektomie dhe një trajtim, që ndoshta mund të ketë nevojë edhe për ndërhyrje të tjera në rastin e një enukleimi, problemi është që kemi rekurencën. Rekurenca është një problematikë më se e zakonshme, në rastin e fibromiomave uterine. Rekurencat mund të jenë pra, rishfaqja e nodusit përsëri, edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale ose pas trajtimit me medikamente. Ato ose mund të shfaqen në vendun ku kanë qenë më përpara dhe të rikrijohen prapë aty, ose mund të shfaqen në një lokus tjetër, në një cipë tjetër, përsëri në mitër. Dhe përgjithësisht koha e shfaqjes së këtyre rekurencave shkon nga 3-5 vite pas ndërhyrjes kirurgjikale. Dhe ndonjëherë, arsyeja se përse u sugjerohet femrave që të bëjnë histerektomi, sidomos kur janë edhe në periudhën e perimenopauzës, ëshjtë pikërisht kjo, që të mos i nënshtrohen sërish ndërhyrjeve të tjera kirurgjikale, për shkak të ripërsëritjes, për shkak të rekurencave të larta që kanë fibromiomat uterine.

Kjo do të thotë që nuk duhet të shqetësohen?

Nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar. Duhet vetëm që të zbatohet një ndjekje periodike e vazhdueshme. Në rastin kur një grua është diagnostikuar me fibromiomë uterine, fillimisht mjeku mbaj një qëndrim konservativ ndaj saj ose një qëndrim pritës, një qëndrim ky që është i kushtëzuar nga gjendja klinike e gruas, nga simptomalogjia e saj, nga mosha e saj, nga dëshira për ta ruajtur ose jo uterusin, nëse kjo grua dëshiron që të mbetet shtatzënë në të ardhmen. Pra ka disa faktorë që përcaktojnë qëndrimin e mjekut përballë një fibromiome. Por ajo që është më e rëndësishme, është situacioni klinik i gruas, përmasat e fibromiomës, numri i fibromiomave, fakti nëse janë të ndërlikuara ose jo. Pra janë këto arsyet që përcaktojnë vendimin klinik të mjekut, gjithmonë në bashkëpunim me pacienten duke respektuar edhe vullnetin e saj apo dëshirën për ta ruajtur mitrën, nëse kjo grua është e aftë apo jo që t’i nënshtrohet kontrolleve periodike 6-mujore. Pra këto janë një sërë faktorësh mjek-pacient, të cilët përcaktojnë qëndrimin klinik që do të mbahet përballë një fibromiome. Gratë mund t’i ndjekin në vazhdimësi fibromiomat, me një ndjekje dinamike çdo 6 muaj, sigurisht me vizita gjinekologjike dhe ekografike, për të parë nëse këto fibromioma e ndryshojnë sjelljen e tyre, nëse i rrisin përmasat e tyre, nëse komplikohen sepse fibromiomat përveç se mund të shoqërohen me hemorragji dhe me shenja të tjera, ato mund edhe që të ndërlikohen.

Çfarë kuptojmë me ndërlikim të tyre?

Fibromiomat mund të ndërlikohen në formën e nekrozave. Ato mund të pësojnë fenomene nekrotike, d.m.th. indet që ndërtojnë fibromiomën, si rezultat i mosmbështetjes dhe i mosfurnizimit ashtu siç duhet me gjak, sepse duke i rritur shumë përmasat e tyre nuk mund të arrijnë që ta mbështesin ashtu siç duhet furnizimin me gjak të tyre dhe pësojnë një lloj nekroze. Por kjo lloj nekroze pastaj shoqërohet edhe me simptomatologji, jo vetëm lokale sepse shoqërohet me dhembje, si edhe me probleme të tjera, si me mbrojtje muskulare etj., por shoqërohet edhe me një dëmtim të gjendjes së përgjithshme të gruas, si me temperaturë, me leukocite të larta. Pra kjo gjendje manifestohet si një lloj infeksioni i përgjithshëm i organizmit. Gjithashtu fibromiomat mund të komplikohen edhe më tej, sepse mund të mbivendosen fenomene nekrobiotike, mund të kalcifikohen. Imazhet ekografike janë shumë interesante kur fibromiomat kalcifikohen, si rezultat edhe i mbivendosjes së kripërave të kalciumit. Kjo ndodh zakonisht në periudhën e menopauzës. Gjithashtu ato mund të pësojnë degjenerime kistike etj. Pra në varësi të mënyrës sesi ato e kanë ecurinë, përcaktohet edhe vendimi sesi duhen trajtuar.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda