Misioni 'top sekret' dhe ushtaraku gjerman që shpëtoi hebrenjtë në Shqipëri! Biseda në takimin misterioz me djalin shkodran! Ç’ndodhi në 1944

Misioni 'top sekret' dhe ushtaraku gjerman që shpëtoi hebrenjtë në Shqipëri! Biseda në takimin misterioz me djalin shkodran! Ç’ndodhi në 1944

Ushtarë gjermanë, Tiranë 1944

Djaloshi 22 vjeçar Ludovik Deda, biri i familjes së njohun shkodrane, të Dedjakupve, në vjetin 1944 ishte në shërbim të forcave ushtarake gjermane në rolin e nënoficierit të nji reparti ushtarak shqiptar, kryesisht për ruejtjen e rregullit e të qetësisë në qytetin e Shkodrës e rreth tij. Në paraditen e nji ditë dimni me acar, në fund të muejit janar të vjetit 1944, korrieri i shtabit të Whermacht-it të dislokuem në Shkodër, i dorëzoi Ludovik Dedës nji zarf i cili përmbante thirrjen për nji takim me komandantin gjerman, në zyrën e tij, po atë mbasdite në orën 15.00.

Në orarin e caktuem, Ludoviku u paraqit në zyrën e Komandantit, i cili e priti me mirësjellje e shkurt e me pak fjalë e urdhnoi që të nesërmen ora 12.00 të me qenë në Bar “Kursal” Tiranë, ku do të ishte edhe vetë ai për nji çeshtje që do ta kuptonte të nesërmen, e para se të delte prej zyrës, e porositi: “Kujdes, askush nuk duhet të jetë në dijeni për bisedën e sotme”!

Të nesërmen, fiks në orën 12.00, kur Ludoviku hyni në mjedisin e Bar “Kursalit “ Tiranë, dalloi në nji tavolinë, si në qoshe, komandantin gjerman që e përshëndeti dhe e ftoi të ulej. Mbas pak komandanti, thirri kamerierin dhe pyeti Ludovikun se ç’ka dëshironte t’i servirej. – Faleminderit, kafe dhe ujë ishte përgjigja e shpejtë e Ludovikut, i cili ndihej shumë i emocionuem prej këtij takimi misterioz! Ndërsa Ludoviku pinte kafen, te tavolina u afrue nji burrë i cili i përshëndeti në një gjermanishte me theks ndryshe dhe u ul me qetësi.

Menjiherë komandanti bani prezantimin e Ludoviku kuptoi se personi i tretë në tavolinë ishte “ish shefi i shërbimeve sekrete italiane në Shqipni”. Duket se gjermanët, që kishin zanë rob e internue drejt “kampeve te vdekjes” (si tradhëtarë ) pjesë të madhe të efektivit të ushtrisë italiane që gjindej në Shqipni mbas kapitullimit te Italisë fashiste me 10.09.1943, kishin pasë mbajtë si këshilltar të veçantë pranë tyne ( sepse i duhej për njohunitë e përvojën që kishte në mjedisin shqiptar) burrin që ndodhej përballë Ludovikut në atë takim.

Mbasi ndërruan bisedën e mirësjelljes, komandanti gjerman paraqiti detyrën që duhej të kryente Ludoviku: “Me qenë se ushtria gjermane kishte nevojë për landë druni, e cila do të transportohej prej Shkodrës në rrugë ujore nëpërmjet lumit Buna, delte nevoja e blemjes së nji mjeti lundrues detaro-lumor për ushtrinë gjermane i cili fillimisht duhej të lundronte prej Durrësit e të ankorohej në portin lumor të Shkodrës”. Në takim Ludovikut iu dha porosi që për veprimin e masipërm të takonte nji person me eksperiencë në fushën e anijeve lundruese në Durrës, iu dorëzue edhe shuma monetare për kryemjen e aksionit së bashku me porosinë që për çdo problem të mundshëm të merrte kontakt vetëm me komandantin gjerman.

Mbas disa ditëve, Ludoviku takoi personin e rekomanduem në Durrës e simbas këshillës së tij bleu nji anije detaro- lumore prej druni me kapacitet rreth 150 T. me emnin “Papagali”, pagoi paradhanie edhe dy specialista të fushës së lundrimit ( drejtuesin e mekanikun e anijes) për shërbimin që do të bajshin e së bashku me ta lundroi drejt Shkodrës. Lundrimi shkoi mbarë, anijen e ankoruen në gjiun që krijon shkambi i Fabrikës së Çimentos në Shkodër në lumin Buna ku po i pritshin dy ushtarë gjermane të cilët e morën anijen në ruejtje.

Në takimin e radhës me komandantin gjerman në Shkodër, ku Ludoviku kishte shkue për raportimin e kryemjes së detyrës, kuptoi të vërtetën e misionit “Top sekret “; komandanti gjerman, së bashku me disa bashkëpunëtorë besnikë (oficierë të Werhmacht-it në Shkodër në bashkëpunim me…?, kishin marrë përsipër shpëtimin e dhjetëra familjeve hebreje prej kthetrave të reparteve famëkeqe “S.S” naziste. Këto familje me banim të mëparshëm në Serbi, Kosovë e Maqedoni kishin pasë qenë me “fat”, sepse kishin mbrritë me i shpëtue synit vigjilente te S.S-ve e tashma qëndrojshin të fshehuna në shtëpitë e shkodranëve.

Komanda e ushtrisë gjermane në Shkodër “kishte marrë prej kolegëve të tyne në Vlonë nji kërkesë për furnizim me landë druni për nevojat e ushtrisë” e cila do të transportohej me anijen “Papagali”. Landa e drunit do të sistemohej në kuvertë, kurse pjesëtarët e familjeve hebreje do të vendoseshin të fshehun poshtë druve në barkun e anijes me tjetër destinacion…! Ludoviku mori detyrën me qëndrue 24 orë pranë anijes e me shoqnue grupin e hebrejve deri në destinacionin përfundimtar.

Aksioni ishte me shumë të paprituna, por deri në këtë fazë çdo gja kishte shkue simbas programit. Vështirësia ma e madhe konsiderohej organizimi i sistemimit klandestin të familjeve hebreje poshtë në barkun e anijes, sepse rruga prej qytetit të Shkodrës deri te vendi i ankorimit të anijes kalon detyrimisht mbi urën e Bunës, ku S.S. nazistë kishin pikën e kontrollit!

Së pari, anija u ngarkue me landën drunore në kuvertë; në nji pozicion të msheftë ishte lanë rrugë e lirë për hymjen në barkun e anijes, poshtë turrës së druve. Me qenë se procesi i futjes në anije i familjeve hebreje parashikohej i gjatë, mbasi u pat pleqnue që në kalimin e kontrollit të “ S.S.-ve”( te ura e Bunës), hebrejt e veshun si katundarë të zonës e të shoqnuem prej shqiptarve, të mos ishin ma shumë se dy së bashku, doli problemi se dikuj mund t’i lindte dyshimi se pse anija për ndihmë ushtrisë gjermane, tashma e ngarkueme me dru, pra e gatëshme për lundrim nuk nisej drejt destinacionit, por po qëndronte në vend kaq gjatë?

Për këtë arsye dy mekanikë të “zgjedhun” të ushtrisë gjermane filluen sistemimin e motorrit e të mekanizmit të anijes “Papagali” e cila “ për çudi, rezultoi se kishte pasë shumë difekte…”

Procesi i programuem i kalimit të kontrollit në urën e Bunës e sistemimi i fshehtë i hebrejve në barkun anijes rezultoi i gjatë, u deshën gati 17 ditë që 45 persona, pjesëtarë të familjeve hebreje të strehoheshin në klandestinitet në anije. Nga ana tjetër, sa ma shumë persona strehoheshin në barkun e anijes aq ma i vështirë paraqitej procesi i plotësimit të nevojave jetike të tyne në kushtet e klandestinitetit… Ma në fund erdhi dita e nisjes, 25 Shkurt 1944, atë ditë “pasagjerëve të anijes” iu shtuen edhe dy oficierë gjermanë. Buna kishte plot ujë. Lundrimi filloi mbarë, anija lundronte me shpejtësi e ndihmueme edhe prej rrymës lumore.

Disa postoblloqe ushtarake gjermane që kontrollojshin e pengojshin lundrimin pa leje me anën e rrjetave prej hekuri në lum, u kaluen pa kontroll të hollësishëm, sepse ishin oficierët gjermanë në kuvertë që komunikojshin me kolegët e tyne të kontrollit të cilëve i paraqitshin edhe dokumentin e urdhnit të komandës gjermane për dërgesën e landës drunore në Vlonë.

Optimizimi që emocionoi pasagjerët kur anija doli prej grykës së lumit Buna e filloi lundrimin në detin Adriatik drejt botës së lirë më destinacion Bari- Itali, në atë periudhë kohore zonë e çlirueme prej forcave aleate, nuk vazhdoi gjatë, sepse papritmas motori i anijes u bllokue! Anija “ Papagali” ishte në mëshirën e dallgëve, që për fat atë ditë ishin mjaft të qeta… Shqetësimi ishte maksimal; mekanikët punojshin vrullshëm për gjetjen e difektit, kurse oficierët gjerman vunë në përdorim radion “dhanësë e marrëse” e me kodet e tyne sekrete mbrritën me komunikue me “ato…” që ishin të interesuem për aksionin e shpëtimit të hebrejve.

Papritmas në distancë rreth 100 m. prej anijes “ mbiu” mbi sipërfaqen e detit nji nëndetëse britanike e cila rimorkjoi anijen “ Papagali” deri në destinacion, ne Bari-It., ku të tanë pasagjerët e anijes, fillimisht, gjetën strehim në kampin e refugjatëve të luftës me vend ndodhje afër qytetit të BaritIt.

Vlen të shënohet se kjo ngjarje, aq e veçantë sa humanitare, por dhe me vlerë sepse nderon jo vetëm moralin e shqiptarëve, por edhe të gjermanëve tue demostrue se jo të tanë ushtaraket gjermanë ishin kundër hebrejëve, nuk kujtohet prej askujt? Po pse? Nuk dihet ngjarja? Jo, jo dihet , por nuk duen me e dijtë…, sepse nuk duen me e kujtue…!

Në fillim të mijëvjeçarit të tretë, rastësisht mora pjesë në nji takim të Shoqatës së Miqësisë Shqiptare – Izraelite, që u mbajt në sallën e Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, ku u kujtuen dhe u nderuen disa familje qytetare shkodrane që kishin strehue familjet hebreje, tue rrezikue edhe jetën e tyne, gjatë terrorit nazist në kohën e luftës së dytë botnore. Më kujtohet se në atë takim , kërkova fjalën e shkurtimisht tregova ngjarjen e këtij shkrimi; pata mbetë pak befasuem sepse drejtuesit e aktivitetit nuk treguen asnji lloj interesimi mbi çka tregova. Mbrapa, kur me mendjen tima bana analizën psiko-politke të mjedisit drejtues të aktiviteti, falë eksperiencës së jetës time nën diktaturën komuniste, çdo gja m’u sqarue!

No coment! Gjithçka flet vetë! Përpunimi dogmatik puritanist ideologjik i nji pjese të shoqnisë njërëzore nuk i lejon të kuptojnë realitetin, të vërtetën që na rrethon: “E mira dhe e keqja bashkëjetojnë në nji binom të pandashëm si në simbiozë.; “ s’ka të mirë pa të keqe dhe s’ka të keqe pa të mirë”, duem apo s’duem, ky asht realiteti.

“Reddite quae sunt Caesaris Caesari et quae sunt Dei Deo – Jepni Çezarit atë që asht e Çezarit dhe Zotit atë që asht e Zotit”

Mbetet në nderin tonë paraqitja e nderimit dhe e mirënjohjes publike për veprën humanitare të shpëtimit të familjeve hebreje prej kthetrave të S.S nazistë, tue rezikue edhe jetën e tyne në pranverën e 1944-tës për komandantin e disa oficierë ( besnikë të tij ) të Whermachtit në Shkodër, për banorët e Shkodrës si dhe në veçanti për mikun tim, që sot nuk jeton ma, të ndjerin Ludovik Deda.

Shënim: Shkrimi respekton rrëfimin e personazhit kryesor të ngjarjes, z. Ludovik Dedës, i zhvilluem në shtëpinë tij; Pescara-It, Tetor 1997. Atyne që ngjarja e masipërme mund t’i duket e pabesueshme i ftoj të verifikojnë arkivat e kampit të refugjatëve të Luftës së Dytë Botërore në afërsi të qytetit të Barit-it., ku ruhet e vërteta./Memorie.al

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 17/09/2024 05:05

    Jo te gjithe gjermanet ishin ashtu sic eshte krijuar imazhi i pergjithshem.Ka patur mes tyre te detyruar te luftonin dhe ishin kundershtare te heshtur te nazizmit.

    Përgjigju
  • Renacaku: 16/09/2024 12:54

    Kush qënka ky oficer gjerman që ka ndëruar faqe dhe është tjetër soj nga ata të tjerët si p.sh.ata në itali që masakruan pop hebre bashkë me ata italian që vranë dhe priftërinj katolik.Mos more se do të na i blni tradhëtarlt dhe nazisfët YLVIA i thwmi ne të luftës Antifaahuste.Mjaftë me rena dhe një pyetje përse ky Ludoviku veshi uniformën e kapterit gjerman kur shumë mirë mund të luftonte për çliejmin e ADDHEUT.ATA KANË NJË EMËR NAISTË DHE TRADHËTAR.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025