Gjuetarët e thellësive, peshkaqenët, zakonisht nuk kanë ngjyrë portokalli të ndezur, por ky është një nga rastet kur natyra na surprizon.

Një peshkaqen i gjetur pranë brigjeve të Kosta Rikës në gusht 2024 ka ngjyrë portokalli të ndezur dhe sy të bardhë, raporton Science Alert.

Arsyeja për këtë, sipas shkencëtarëve, është shfaqja e rrallë e dy formave të pigmentimit anormal te i njëjti individ, mungesa e pigmentimit të errët, e njohur si albinizëm dhe teprica e pigmentimit të verdhë, ose ksantizëm.

Edhe më befasuese është se kjo gjendje e kombinuar, e njohur si albino-ksantokromizëm, nuk duket se ka penguar mbijetesën e peshkaqenit. Ai jetonte mjaft mirë në ujërat e ngrohta të Detit të Karaibeve.

Peshkatari Juan Pablo e kapi peshkaqenin më 10 gusht 2024 në një thellësi prej 37 metrash dhe u befasua nga ngjyra e tij. Ai bëri disa foto e matje para se ta lironte. Fotografitë u postuan më vonë në rrjetet sociale nga kompania e ekoturizmit Parismina Domus Day.

Edhe pse jashtëzakonisht e rrallë, veçori e dyfishtë gjenetike është dokumentuar në natyrë, kryesisht te shpendët. Megjithatë, ajo është vërejtur edhe në oqeane.

Mund të mendohet se një ngjyrë kaq e ndritshme do ta pengonte stilin e jetesës së një peshkaqeni, por matjet e peshkatarit treguan se nuk ishte rasti.

“Përbindëshi mandarinë” ishte 200 centimetra i gjatë nga hunda deri te maja e bishtit. Kjo tregon pjekuri të plotë, një proces që zakonisht zgjat të paktën një dekadë për këtë specie.

Ngjyrosja zakonisht është rezultat i një mutacioni gjenetik dhe, duke pasur parasysh sa i vështirë është oqeani për t’u eksploruar, kjo formë e veçantë mund të jetë shumë më e zakonshme nga sa dimë.