TIRANE- Marjon Mitro personi që ka shërbyer në disa raste si ndërlidhës mes vrasësit dhe personave që paguanin për vrasje, ka dalë dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku është njohur me masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Mitro akuzohet direkt për atentatin me tritol ndaj prefektit Besnik Dervishi, ndërkohë dhe për vrasjen e mbetur në tentativë të një shtetasi me inicialet J.M, person ky që përdorej nga banda si vrasës me pagesë, por që në fakt grupi kërkoi eleminimi i tij fizik, nga vrasësi tjetër Julian Sinanaj, për të cilin ishte paguar 20 mijë euro.

Marjon Mitro, ka pohuar para gjykatës se ishte implikuar në mënyrë të qëllimshme nga Sinanaj, me të cilin ka njohje, pasi ai s’ka pasur asnjë arsye pse duhet ti vinte tritolin prefektit Dervishi, pasi me këtë të fundit ka njohje të vjetra. Mitro deklaroi se në Greqi, po largohej për të marrë pasaportën e vajzës së tij, dhe jo për tju fshehur drejtësisë. Ndërkoha gjatë ditës së djeshme kanë dalë para gjykatës dhe Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, të cilët kanë pohuar se pjesa më e madhe e bandës ndodhet jashtë, dhe se janë shumë të shqetësuar për familjet e tyre.

Sipas deklarimeve që kanë dhënë në prokurori, dy të penduarit kanë treguar se kushërinjtë Mëhillaj, janë në krye të grupit kriminal, dhe se ata organizonin çdo vrasje, duke siguruar financimin nga biznesmenë të ndryshëm. Tashmë, prokuroria është duke verifikuar me imtësi të gjitha thënien, me qëllim provimin e tyre me fakte konkrete.

Shkrimi u publikua sot (01.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)