Mitrovicë, fëmijët pjesë e festës së 2 vjetorit të Universitetit

/ATSH/.- Pjesë e aktiviteteve për shënimin e 2 vjetorit të themelimit të Universitetit të Mitrovicës "Isa Boletini" janë bërë edhe nxënësit e shkollave fillore. Rektori Alush Musaj ka shpërndarë të premten simbolikisht disa pako me pajisje për vizatim për nxënësit e shkollave fillore "Migjeni" dhe "Skënderbeu", të cilët me punimet e tyre do të marrin pjesë në një garë ndërkombëtare.

Rektori Musaj sqaroi se 200 pako të tilla me pajisje për vizatim do të shpërndahen nëpër të gjitha shkollat fillore të komunës, për nxënësit prej klasës së katërt deri në të tetën. "Në kuadër të manifestimit për shënimin e 2 vjetorit të UMIB-it, kemi dashur t'i bëjmë pjesë të festës edhe fëmijët, me qëllim që të shtrijmë komunikimin e universitetit edhe në familje, edhe atje ku nuk ka studentë", u shpreh ai.

Rektori tha se nxënësit me punimet e tyre do të marrin pjesë në një ekspozitë që do të organizohet në UMIB dhe më pastaj edhe në qendrën e kulturës "Rexhep Mitrovica". "Tema e punimeve do të jetë e lirë, ndërsa në fund pesë më të mirët do të shpërblehen", u shpreh ai.

Rektori Musaj, theksoi se këto pako me pajsje, të cilat përmbajnë fletore vizatime, ngjyra, lapsa, goma dhe mprehëse janë dhuratë e shoqatës "Kosova" nga Stambolli.
Me rastin e 2-vjetorit të themelimit, Universitetin e Mitrovicës të enjten e ka vizituar ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ndërsa studentët e kanë organizuar një tryezë ku është debatuar për sfidat e së ardhmes për universitetet e reja.

Të premten në Gjilan do të mbahet bashkërisht manifestimi qendror për shënimin e 2 vjetorit të themelimit të Universitetit të Mitrovicës "Isa Boletini", Universitetit të Gjilanit "Kadri Zeka" dhe Universitetit të Gjakovës "Fehmi Agani"

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Preç Zogaj: ‘Mosmarrëveshja’ si testament i orientimit perëndimor të Shqipërisë