/ATSH/.-Është zhbllokuar sot rreth mesditës dhe është bërë e qarkullueshme rruga rajonale Mitrovicë-Podujevë. Rruga ishte bllokuar të shtunën rreth orës 18:00, nga shembja e një masivi të dheut, në segmentin në Statërg drejt Shalës së Bajgorës.
"Ndonëse gjatë ditës kishte disa rrëshqitje të dheut, qarkullimi vazhdon të jetë normal, ndërkohë që Policia po qëndron aty afër, për çdo eventualitet", bëhet e ditur nga komuna e Mitrovicës jugore.
Janë njoftuar edhe zyrtarët e Ministrisë kosovare të Infrastrukturës, që po ashtu ishin në vendin e ngjarjes.
"Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, në mënyrë që të mos na ndodhë diçka e papritur dhe në befasi. Ne do t'i marrim të gjitha masat, me qëlllim që qytetarët të mos rrezikohen në asnjë moment", tha kryetari i komunës Agim Bahtiri derisa po përcillte nga afër situatën në rrugë.