GJIROKASTER- Ministria e punëve të jashtme të Greqisë nëpërmjet një deklarate për shtyp, udhëzon ambasadorin e saj në Tiranë, të denoncojë pranë Ministrisë së Jashtme shqiptare incidentet e ndodhura në fshatin Derviçan të Gjirokastrës, pas pezullimit të ndeshjes Serbi- Shqipëri.
 
Në komunikatë theksohet se autoritet shqiptare duhet të dënojnë personat që ushtruan dhunë ndaj shtetasve te minoritetit greke në fshatin Derviçan, pak minuta pas ndërprerjes së ndeshjes mes kombëtares tonë dhe ekipit serb.
 
Sipas ministrisë së jashtme greke, këto sulme ishin pa shkak, pasi nuk kishte provokime nga minoritarët grek.

Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke thuhet se “nën udhëzimet e zv.Kryeministrit, njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos, ambasadori grek në Tiranë udhëzohet të denoncojë në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, incidentet që kanë ndodhur në fshatin Derviçan kundër anëtarëve të minoritetit kombëtar grek në këtë zonë pas pezullimit të ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri. Të dënohet dhuna ndaj minoritetit”.
 
Ambasadori Rokanas gjithashtu kërkoi që të merren të gjitha masat e nevojshme të për të gjetur, arrestuar dhe ndëshkuar ata që kryen sulmin e paprovokuar, si dhe të mbrohet minoriteti grek, edhe gjatë festimeve të 28 Tetorit.
 
“Ambasadori grek përcolli shqetësimin e fortë të Greqisë për sulme të ngjashme , të cilat synojnë destabilizimin e pakicave greke, dhe përbëjnë një pengesë për perspektivën evropiane të vendit, e cila është dobësuar dhe sigurisht nuk forcohet me sjelljen ekstremiste dhe nacionaliste që zgjon kujtimet e së kaluarës së Ballkanit që të gjitha vendet e rajonit duhet ta braktisin, për një një të ardhme më të mirë dhe të përbashkët të rajonit evropian”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.
 
Ndërkohë që burime për “A1 Report” bëjnë me dije se gjatë asaj nate nuk pa patur incidente në fshatin Derviçan, teksa tifozët e kombëtares kanë zhvendosur festën nga qyteti i Gjirokastrës në fshatin Derviçan që ndodhet në periferi të qytetit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)