TIRANË – Në vijim të diskutimit të shtyllave kryesore të programit “Për një Rilindje Shqiptare”, PS mblodhi sot pasdite tryezën për mjedisin dhe problemet e tij.
Kryesocialisti Rama në fjalën e tij iu referua veprimit të françeskanëve shume vite më parë për ngritjen e muzeut për mjedisin, i cili tanimë është shkatërruar.
“Mjedisi në Shqipëri, i ngjan një gostie ku konsumohen brenda një nate, të ardhurat e një viti. Keqmenaxhimi i burimeve natyre është spektakolar. Mjedisi është kryeçështja që ka mbërritur në sgrip, në pikën ku rrezikon të jetë pa kthim për kushedi për sa dekada e gjenerata me rradhë”, tha Rama.

Ai kërkoi një moratorium në të gjitha fushat ku mjedisi ka arritur fundin pasi këto çështje duhet të shihen si “një betejë qytetërimi”. Rama përmendi gjuetinë dhe peshkimin si një veprimtari që tashmë është kthyer në rrezik shfarosjeje për shumë specie në tokë e ujë.

“Po zhvillohet një gjueti barbare e pakontrolluar”, tha Rama ndërsa rreshtoi disa prej problemeve më të mëdha në lumenj. “Nuk mund të presim që lumenjtë të përmbysin fushat, te mbytin njerez”, deklaroi ai.

Sipas Ramës importi i plehrave nuk mund të tolerohet më, sepse tha ai, aktualisht Shqipëria nuk ka zgjidhur cështjen e plehrave të veta.
“Për një nga parimet themelore të mbrojtjes së mjedisit ne do vemë theksin maksimal. Masa parandaluese për cënimin e mjedisit do të dominojmë politikat e zhvillimit mjedisor. Shqipëria nuk mund të presë plehrat nga jashtë. Si mund të na shkojë mendja tek importi i plehrave ndërkohë që Shqipëria është e mbytur nga plehrat nga brenda. Kur 70 për qind e plehrave nuk arrijnë të shkojnë në pikat e grumbullimit, por shpërndahen në pika të tjera që kthehen në risk për njeriun”, tha ai.

Rama tha se problemi nuk është ndërgjegjësimi sepse qytetarët shqiptarë e refuzojnë importin e plehrave, por problemi është të ndërgjegjësohet shteti shqiptar dhe këtu u ndal në gjithë makinerinë shtetërore e cila duhet të jetë në pararojë për ta ndalur rrënimin e mëtejshëm, pas kaq e kaq vitesh politika shfarrosëse për mjedisin.

(aq/shqiptarja.com)