Mjekërzeza ti

Mjekërzeza ti
Megjithëse askush nuk e di se cila është pjesa e njeriut, në ciklin prej disa qindra milionë vjetësh në tokë, besohet se ajo është një e njëmijta pjesë!

Njeriu në planetin e tij ka pasur një copë krejt të papërfillshme, por jeta dhe kodet e saj për racën, që nga "molla e Adamit" të paktën, kanë ndryshuar me shpejtësi të madhe. Ndonëse, besohet të ketë pasur dhjetëra civilizime në tokë, më i ngatërruari del të jetë i fundit.

Deri para 20 ose 100 vjetësh, kjo ka fare pak rëndësi, mënyra se si jetohej, si performohej, si bëhej lufta, arti e kultura, veshja e lakuriqësia, si mbrohej nderi e si bëhej dashuria... ishin sikur të kishin ndodhur në një tjetër jetë.

Sot, janë "pshurrur" kodet që i kishin njohur ata, por edhe ne vdekatarët që akoma nuk e kemi shpenzuar gjysmën e jetës.
Një mike imja, që unë gjithmonë e kam njohur si mendjehapur e zonjë moderne, në natën e “Eurovisionit” tha "po vjen kiameti"! Po çfarë ndodhi atë natë, dhe pse mu ajo natë dhe “Eurosong 2014”!

Feniksi u ngrit dhe triumfoi në skenë. Kush do ta besonte se një si piliherdhe, por me mjekër burri, do të “dhezte” po kaq fort edhe në skenën evropiane! U tha se fitorja për këngëtaren transvestite, më shumë se një votë, ishte një fitore për "tolerancën"! "Më shumë tolerancë na nevojitet në këtë botë", këtë thanë ata që e votuan këngëtaren transvestite.

Ajo, këmbëbukura e leshtë, nuk i mbajti lotët. Të gjithë pajtoheshin se asnjë prej këngëtarëve dhe këngëtareve që morën pjesë në edicionin e 59-të të "Eurovision Song Contest", nuk ishte aq shumë në qendër të vëmendjes sa Tom Neuwirth, alter egoja e Conchitës, mashkullit që ajo prezanton në skenë. Conchita Wurst performoi “Rise like a Phoenix” tha: “Ne jemi të gjithë një”. Fitorja e personit të diskriminuar dhe sulmuar shpesh për shkak të jetës dhe të orientimit të saj seksual, nuk është një enigmë. Por çfarë ndodh kur mjekra dhe këmbët e bukura shndërrohen në vlerë? Ose e kundërta, kur kjo përkthehet në ardhjen e ditës së kiametit, siç ia kanë drojën disa prej vdekatarëve të zakonshëm!

Conchita Wrust-in, krejt rastësisht e kam parë gjatë realizimit të një interviste për një televizion austriak në një kafene në Vjenë, vetëm pak javë para se të mbahej “Eurovisioni”. "Zonja me mjekër" me këmbë e me shalë, ishte shndërruar në atraksion në pothuaj të gjitha kanalet televizive austriake. Mjekra e zezë në fytyrën e grimuar fort, e krijonte atë thyeshmërinë e formimit social e psikologjik te të gjithë ne, që e pranojmë lehtë, rëndë, vështirë ose nuk e pranojmë hiç.
"Dhe Hitleri seç mu kujtua sot për dreq:

"Të gjallët janë bashkë në botë, Kurse të vdekurit janë veç"; ndoshta do të mundë të ishte ky një version i ri i një poezie të vjetër të Kadaresë. Jo për tjetër, por thjesht për të parë se larg kanë shkuar nipërit dhe mbesat e Hitlerit që, po të ishte gjallë, do t'i piqte në furrë"! Por 70 vjet më vonë, Conchita me mjekrën e qethur me shije e nën lotët e një gruaje thotë: “Këtë natë ia dedikoj të gjithë njerëzve që besojnë në të ardhmen e paqes dhe lirisë. Ju e dini se kush jeni- ne jemi të bashkuar dhe kështu do të jemi të pandalshëm”. Vetëm që nuk bërtiti "Hitler të munda"!

Kushedi se cili do të jetë evolucioni i mëtejshëm i racës njerëzore, por paraqitja e Zonjës mjekërzezë në “Eurosong 2014” dhe poentimi i saj, i kalon kufijtë e modernizmit kulturor dhe sikur shënon fillimin e një epoke të re të evolucionit. I madh ka qenë Aleksandre Dumas me "Zonja me Kamelie", ose Zonja e Hekurt në Britani, apo Lady Gaga e Lady D", por na falni se sot janë "in" disa zonja mjekërzeza - Bärtige Dame, u thonë në Austri!

-Zemër, hiqe mjekrën sonte se do të bëjmë dashni, do t'i thotë ai asaj. -Jo ajo atij!

"Phu phu ç'vakt kemi mrri", do të thoshte gjyshja ime, ndjesë pastë!

p.s. Meqë është kohë ngjitjesh dhe katapultimesh në politikë, çfarë do të ndodhte sikur një nga partitë tona të fuste në ofertë një tip si Conchita, sa vota do të mundë të merrte ai/ajo? Ndoshta kështu do të përkraheshim më shumë nga Bashkimi Evropian, dhe, një rrugë e dy punë, edhe një standard e kishim plotësu?

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët