VLORË - Veç autoambulancave dhe mjeteve logjistike, sot spitalit rajonal të Vlorës iu dhurua nga Italia edhe një aparaturë ekografie e tipit të fundit, ku mjekë italianë, përveçse do të vizitojnë falas për disa ditë, do të lënë në Vlorë në gjendje pune dhe aparaturën e nevojshme për mijëra pacientë që vizitohen aty.

Nisi kështu, një tjetër bashkëpunim konkret midis spitalit të Vlorës dhe atij të rajonit të Toskanës, që prej kohësh po diskutohej midis drejtuesve të dy spitaleve dhe mundi të hyjë në zbatim sot.

Mjekë specialistë të spitalit të Toskanës dhe Romës kanë mbërritur në spitalin e Vlorës me paisjet e nevojshme për të kryer vizita, që siç është bërë me dije më pare, kanë qënë pa pagesë.

Të shumtë kanë qënë qytetarët, që kanë bërë eko dhe kontrolle nën mbikëqyrjen e specalistëve italianë. Ky bashkëpunim do të vijojë dhe anasjelltas; më vonë, mjekë të spitalit të Vlorës do të kryejnë vizita në spitalin e Toskanës. Për më tepër do të ketë një lidhje “online” midis këtyre dy spitaleve, gjë e cila do të mundësojë komunikim në kohë reale lidhur me problemet e pacientëve.

Drejtori i spitalit rajonal të Vlorës, Shkëlqim Salami, e ka vlerësuar si një bashkëpunim frytdhënës dhe mjaft të nevojshëm veçanërishtë për spitalin e Vlorës.

Gjithashtu, një vlerësim maksimal për këtë nismë të marrë nga drejtori i spitalit të Vlorës, ka dhënë dhe mjeku radiolog Agim Tetova , që e ka cilësuar si një hap të madh drejt mjekësisë. Për risitë e këtij bashkëpunimi dhe përfitimin e dy spitaleve, ka folur pozitivisht edhe mjeku specialist ekograf i Toskanës, Alesandro Roncaci.

Kontrollet, që janë bërë ditën e sotme në këtë spital, janë vetëm fillimi. Janë të shumta shërbimet, të cilat do të ofrohen ndërmjet. Pacientët e Vlorës do të kenë prioritet në shërbimet e reja, që nuk kishin mundësi t’i merrnin më parë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)