Edison Pula, 27 vjeç, shqiptar, ka mbledhur dënime prej 16 vitesh në Shqipëri për tentativë vrasje, grabitje, mbajtje eksplozivi dhe krime të tjera që lidhen me trafikun e drogës. Dhe në Itali nuk ishte më pak. Të hënën ai duhej të ishte paraqitur në gjykatë në Bolzano, pasi akuzohej se kishte kryer rreth pesëdhjetë vjedhje. Por në fakt nuk është prapa hekurave, përmes një super arratisje nga burgu i Trevisos. Një dron mund të jetë bërë aleati i Edison Pulës për arratisjen. Mediat italiane shkruajnë se me shumë mundësi atij i është dërguar nga ajri sharra me të cilën ka prerë hekurat e qelisë. 27- vjeçari që njihet si mjeshtër i arratisjeve dhe i vjedhjeve serial, u largua së bashku me dy shqiptarë të tjerë, këta të fundit të arrestuar brenda pak orësh.
Skena e arratisjes së tyre është e ngjashme me atë të filmit vizatimor “The Dalton Brothers”. Për dy prej shqiptarëve, liria zgjati shumë pak pasi u kapën menjëherë nga policia italiane, ndërsa tjetri arriti të humbiste gjurmët. Ai është identifikuar si Edison Pula, 27 vjeç. Nga pamjet e kamerave të sigurisë duket momenti kur shqiptarët largohen me vrap për të dalë në rrugën kryesore.
Mediat italiane shkruajnë se në qeli me Edison Pulënn ishte edhe një tjetër i cili nuk pranoi të arratisej. Kjo sepse ai pothuajse e ka kryer dënimin dhe nuk donte të rrezikonte. Po të ishte kapur në tentativë, pozita e tij do të ishte përkeqësuar jo pak.
Kush është Edison Pula, në kërkim në Shqipëri
Edison Pula, anëtar i bandës së Niklës, u arrestua në shkurt të këtij viti në qendrën tregtare Emisfero di Silea. Ai ishte pjesë e bandës së grabitjes së shtëpive mes Trevisos dhe Bellunos. Ai është një nga të dyshuarit për grabitjen e biznesmenit Giancarlo Miotto në Mogliano Veneto.
Pula, 'mjeshtër i arratisjes' ishte i dënuar me burg për vrasje, grabitje dhe trafik droge. Ai ishte ndaluar me urdhër-arrest për tentativë vrasje, grabitje, posedim eksplozivi dhe krime të tjera që lidhen me trafikun e drogës, të gjitha të kryera jashtë Italisë. I riu është mjeshtër i arratisjes pasi në vitin 2016 u arratis nga burgu në Komisariatin e Krujës duke kapërcyer murin rrethues.
Pula arriti që të shtynte policët duke u shpëtuar në momentin që zbriti nga fugoni, teksa po futej në dhomën e izolimit. Edison Pula ka qenë i dënuar për vrasje e mbetur në tentativë, vendosje eksplozivi dhe vjedhje me dhunë si dhe për atentatin e mbetur në tentativë ndaj mikut të Enver Stafukës, Gentjan Bejtja.