MK keqpërdor fondet, buxhetin
e kalon për Festat e Pavarësisë

MK keqpërdor fondet, buxhetin<br />e kalon për Festat e Pavarësisë
TIRANE- Qendra e Artit Kombëtar (QAK) është shpallur si një institucion i ri nga Ministria e Kulturës (MTKRS). Zyrat e kësaj qendre janë hapur në ndërtesën e Kinostudios. Edhe pse statusi dhe funksionet ende nuk janë përcaktuar, Frrok Çupi është emëruar drejtor dhe që nga data e emërimit të tij duket se ai po bën përpjekje për të nisur nga puna. Po ku të punojë? Ende nuk ka një tavolinë e karrige ku të ulet dhe as çfarë pune të fillojë. Mësojmë se nuk i kanë caktuar as buxhetin për QAK. Dokumentet zyrtare të MTKRS-së nuk kanë asgjë të shkruar për një buxhet të ri që do t'i akordohet qendrës në fjalë. Vetë Frrok Çupi, siç pohojnë miqtë e tij duket i shqetësuar dhe i pakënaqur që e kanë lënë një pozitë të tillë. Kemi shkuar gjatë gjithë javës për ta takuar ose gjetur në Kinostudio, pasi ai nuk dëshiron të prononcohet dhe për këtë nuk e ngre as telefonin. Në Kinostudio të thonë se është e kotë ta kërkosh dhe se ai ka shkuar atje vetëm për pak kohë. "Gjatë javës ka ardhur vetëm dy herë dhe nuk ka qëndruar shumë", thonë. Zyrat ku mendohet të nis punën drejtori dhe stafi i ri janë në proces restaurimi dhe ditën e martë "është vënë dryni në zyrën e drejtorit, por nuk ka as karrige as tavolina", tha një nga punëtorët restaurues. "Ku janë tamam zyrat për qendrën e artit", i pyetëm. "Akoma nuk janë gati. Zyrat janë bosh, nuk ka as tavolina as objekte të tjera."; "Drejtori nuk ka se ç'bën këtu, mos e prit kot, dje ishte, qëndroi pak dhe iku, sot nuk ka ardhur fare", thonë ata që merren me restaurimet e ambienteve. Në ministri nuk e gjetëm, siç thanë, sepse edhe atje ka ardhur nja dy herë për të kontaktuar ministrin e Kulturës, Aldo Bumçi dhe ka dalë. Mesazhit për një intervistë nuk i përgjigjet. Duke u përpjekur të mësojmë se cili do të jetë fati i qendrës së porsangritur për artin kombëtar, nga pohimet zyrtare të Ministrisë së Kulturës, marrim përgjigje kontradiktore me njëra-tjetrën. Këto përgjigje, siç do të shohim më poshtë të çojnë në konkluzionin se: mungesa e qartësisë për ndarjen e detyrave dhe funksioneve të Qendrës së Artit, se çfarë duhet të bëjë ajo në dallim nga ajo që bënte Ministria, i ka lënë që të dyja këto institucione në anarki të plotë.

MINISTRIA SHKEL LIGJIN PËR FONDET
Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Kulturës mësojmë se QAK nuk e ka marrë ende programin e punës së saj. "Ajo është në fazën e organizimit të një kolegjiumi me përfaqësi të bordeve artistike për secilën gjini të artit". Mësojmë se do të ketë 5 deri në 7 anëtarë për secilin bord dhe nëse i ndajmë së paku në pesë-gjashtë gjini degët kryesore të artit, duket se do të jenë mbi 50 anëtarë të kolegjiumit. Nëse kolegjiumi i QAK bëhet vendimmarrës për rëndësinë dhe vlerën e aktiviteteve që duhet të zhvillojë, çfarë roli do të ketë vetë Ministria e Kulturës pas kësaj. Pse ajo ka hequr dorë nga disa prej detyrave të saj përcaktuar edhe në Ligjin për Artin. Po afron sezoni i festivaleve dhe duhet të ishte aprovuar buxheti për festivale e traditës si "Butrinti 2000", "Poeteka", "Festivali i Dansit", etj,etj. Çdo të bëhet me to? Nga Ministria e Kulturës marrim përgjigjen që brenda muajit Prill QAK do të marrë miratimin për të filluar aktivitetin, por çështja se kush do t'i financojë festivalet, Ministria apo Qendra e Artit Kombëtar mbetet pezull, sepse Neni 26, pika 1-a, dikton që: "Ministria përgjegjëse për artin dhe kulturën, nga fondi buxhetor i miratuar çdo vit, financon: a) projekte artistike kulturore, me synim ruajtjen e trashëgimisë dhe vlerave kombëtare, në funksion të politikave kulturore të përvitshme, si festivale, konkurse kombëtare, veprimtari jubilare, promovime dhe botime kolonash". Ky ligj është shkelur me të dyja këmbët. Festivale e traditës prej 2 vjetësh kanë mbetur në mes të rrugës. Vitin e kaluar Festivali i Butrintit u minimizua dhe "Poeteka" e Durrësit përfundoi në një seminar letrar në Tiranë. Këtë vit këto festivale pritet të dështojnë plotësisht, sepse nuk është caktuar asnjë lloj buxheti për to. Në ministrinë e Kulturës është vendosur që pjesa më e rëndësishme e fondeve të caktuar nga Buxheti i shtetit t'iu kalojë festimeve për 100-vjetorin të pavarësisë. Nuk bëhet transparente shuma totale që do të shpenzohet për aktivitetet artistike të festës, për sheshin ku do të ngjitet monumenti dhe kostoja për derdhjen e tij. Të gjitha këto ende nuk janë zbardhur dhe as buxheti ende nuk është dhënë. E gjithë Ministria e Kulturës po punon vetëm për Festën e Pavarësisë me mbështetjen e Kryeministrit Berisha. MTKRS ka lënë mënjanë përgjegjësinë primare të saj për fuqizimin e artit dhe kulturës në vend. MTKRS disa detyra pret që t'ia delegojë QAK-së, por se çfarë detyrash ka njëri apo tjetri institucion burime në MTKRS të thonë se "ne nuk mund të japim asnjë të dhënë sesi do të funksionojë qendra derisa është në proces rishikimi. Nuk mendohet se në maj kur të ketë nisur puna me bordin, nëse nis vërtetë, QAK të jetë në gjendje të tërheq buxhetin për festivalet, sepse duke i lënë asaj kompetencat e miratimit të projekteve artistike dhe ato të përdorimit të të ardhurave, ajo s'ka të ardhura. Projekti i parë i QAK është për organizimin dhe statuset ligjore, dhe është e mundur të japë fonde pa të asnjë të ardhur fillestare. Nëse shteti mundet të japë fonde për QAK, nuk mjaftojnë as për rrogat e punonjësve. Kjo qendër arti dihet se ka dy vjet pa mbështetje financiare. Kush do t'i financojë vallë këtë vit festivalet?!

(Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza