TIRANË, 9 Tetor/ATSH/.- Ministria e Mbrojtjes sqaroi sot, opinionin publik lidhur me situatën e krijuar kur një avion boing komercial që udhëtonte nga një kryeqytet europian në drejtim të kontinentit afrikan humbi për disa momente kontaktin me qendrat e kontrollit ajror.
Në një njoftim për shtyp, ministria e Mbrojtjes deklaron se, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë, vendet fqinje anëtare të NATO-s bëjnë policimin ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Mospërgjigja e këtij avioni, kur ai ndodhej në afërsi të hapësirës ajrore shqiptare, vuri në gatishmëri një ndër bazat e NATO-s, prej të cilës u ngrit në ndjekje një çift avionësh luftarakë F16. Avionët luftarakë eskortuan për 10 minuta avionin në fjalë, deri në 8 milje në jug të kufirit shqiptar me Greqinë.
Avionët F16, gjatë kësaj manovre, megjithëse mbi ujëra ndërkombëtare rreth 20 milje larg bregdetit shqiptar, për shkak të shpejtësisë mbi kufirin zanor kanë krijuar "boom-in" sonik, të konsideruar nga banorët si shpërthim.
Ministria e Mbrojtjes siguron qytetarët shqiptarë se kjo është një procedurë e ndjekur me përgjegjësi të lartë nga autoritetet shqiptare dhe forcat e Aleancës./m.m/