Modeli i mungua

Modeli i mungua
Për LDK’në, e cila për 13 vjet nuk arriti ta bëjë Prishtinën model të mirë të qeverisjes. Për mungesën e alternativave politike të partive që mund të krenohen veç me hajni, korrupsion, papërgjegjësi e injorancë.

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovws nuk janë në gjendje të pohojnë se mënyra e qeverisjes së Prishtinës do të jetë model për qeverisjen e gjithë Kosovës. Teksa në njërën anë shfaqen të bindur se s’ka kush që ua merr kryeqytetin, në anën tjetër hezitojnë ta thonë hapur se Prishtina është shembull i qeverisjes së tyre. Kemi diçka që më së paku mund të quhet paradoksale këtu.

Tash 13 vjet nën qeverisjen e LDK’së, Prishtina është kthyer në një qytet kaotik dhe aspak komod për jetesë. Me ndërtime të larta gjithandej, pa parkingje, e betonizuar, me shërbime të dobëta publike, kryeqyteti vazhdon të shpërfytyrohet çdo ditë. Duke mos mundur të kontrollojë si duhet stihinë e ndërtimeve, me leje e pa leje, që kanë ngulfatur qytetin dhe qytetarët, udhëheqjet e deritashme të Prishtinës bartin vulën e dështimit.

Kur flasin për zgjedhjet e përgjithshme, zyrtarët e LDK’së thonë se do të dalin fitues, por gjatë gjithë këtyre viteve të qeverisjes me kryeqytetin, kjo parti nuk ia ka dalë që të krijojë një model se si duhet qeverisur. Për më tepër, vetëm sa është zhytur më thellë në idilën e pushtetit të rehatshëm, të pazotësisë e të papërgjegjësisë.

Si partia më e madhe në qeverisje dikur, e në opozitë tash, LDK do të duhej të kishte krijuar alternativë të besueshme qeverisëse të paktën në Prishtinë, në mënyrë që tash ta ketë si kartë fituese në zgjedhje. Këtij misioni nuk ia ka dalë, andaj sot mund të flitet për një LDK aspak të denjë për pushtet. Pasqyra më e mirë e qeverisjes së LDK’së është Prishtina.

Sa për t’i sqaruar kritikët kujdestarë, siç dinë të jenë disa mendje të njoma të kësaj partie, unë nuk po them se modeli i qeverisjes së LDK’së në Prishtinë është i keq, ndërkaq ai i PDK’së ose i ndonjë partie tjetër i mirë. Jo, jo. Tash sa vjet e vuajmë keqqeverisjen në nivel qendror nga PDK’ja. Tash sa vjet jemi kapur nga hajnia, korrupsioni e krimi. Ashtu si atëherë kur “sundonte” koalicioni LDK-AAK, keqqeverisja e të cilëve solli PDK’në në pushtet.

Por, po them se është e dhimbshme, jashtëzakonisht e dhimbshme mungesa e një alternative qeverisëse nga partia më e madhe opozitare. Partia që nuk don ta pranojë Prishtinën si model qeverisës të vetin, por dëshiron ta mbajë edhe më - partia, e cila në vend se të marrë iniciativa serioze për ta hequr qafe këtë qeveri, është kredhur në apati dhe pret mrekullinë.

* * *

Lexova me kënaqësi një intervistë të njërit ndër balerinët më të njohur shqiptarë, Ilir Kerni, i cili tash e më shumë se dy dekada është larguar nga Tirana dhe zhvillonë karrierë të suksesshme ndërkombëtare.

Si çdo shqiptar, edhe ai përcjell gjithçka që ndodh në vendin e tij. Shprehet i zhgënjyer me mentalitetin korruptiv që është mbjellë te shqiptari. Por, thotë edhe diçka tjetër: “Në këta 22 vjet ka një moment kur të gjithë jemi ndier të mrekulluar, por që fatkeqësisht njerëzit po e harrojnë. Atëherë kur askush nuk besonte se Shqipëria bëhet, Edi Rama ndryshoi Tiranën e asaj kohe që i ngjante Kabulit, në një qytet europian. Fakti që kopjohet nga politikanët e tjerë në çdo hap dhe veprim, është gjë shumë e mirë. Në atë periudhë kam ndier sa gëzim dhe trishtim të ëmbël pse isha jashtë kësaj historie moderne të qytetit ku kam lindur. Shpresoj të ndodhë përsëri ky trishtim i ëmbël dhe të kemi të njëjtin fenomen Tiranë për të gjithë Shqipërinë”. Kështu flet Iliri.

Ata që e kanë vizituar Tiranën në vitet ’90, e mbajnë mend vërtet si Kabuli. Por, Edi Rama gjeti modelin e qeverisjes dhe e transformoi qytetin, duke i dhënë frymë dhe fytyrë europiane. Guximshëm dhe vrullshëm. Ai tashmë ka një model, një alternativë për qeverisjen e gjithë vendit.

Deshi dikush a nuk deshi ta pranojë, Tirana nuk do të ishte kurrë ashtu siç është tash, pa Ramën dhe modelin e tij. Dhe tash, kur ai po synon ta marrë qeverisjen e vendit, ka me çfarë dhe për çfarë të kërkojë votën.

Isa Mustafa, ndërkaq, zor se do të denjojë ta përmend Prishtinën si alternativë të qeverisjes së vendit. Mirë bën të mos e përmend fare. Sepse, do të zgjojë asociacione të pakëndshme. Aso që shembëllejnë me kaos, ngulfatje, betonizim, korrupsion, papërgjegjësi, injorancë, vetëkënaqësi. Aso që i shtyjnë njerëzit të mendojnë për shkatërrim të gjithçkaje që ishte e vjetër, për shkatërrim identiteti. Aso që i bëjnë njerëzit të ndihen keq pse s’kanë çfarë t’iu tregojnë miqve që iu vijnë nga jashtë. Përveç ndërtimeve e mbindërtimeve, kaosit e papërgjegjësisë.

Isa Mustafa dhe LDK’ja nuk i besojnë modelit të Edi Ramës - vetëm pse ai është socialist. Mbase i besojnë modelit të “vrimës së zezë”, të kryeqytetit që e udhëheqin, e që as socialist s’ka mbetur t’i thuhet.

Nga Imer Mushkolaj

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë