"Në Sarajevë kemi ardhur në kuadër të vizitës sonë të parë të përbashkët, vizitës e cila nuk do të jetë e fundit. E ardhshmja do të pasoj pas pak ditësh dhe kjo vetvetiu flet për një mënyrë të re të funksionimit të Komisionit Evropian, e cila përfshin bashkëpunim e ngushtë dhe qasje të koordinuar", shpjegoi Mogherini.
Mogherini tregoi se qëllimet e vizitës janë të shihet dhe konfirmohet se a ekziston vullneti, jo vetëm tek qytetarët, por edhe tek liderët e tyre politikë në kuadër të institucioneve, për të filluar një fazë të re të procesit dhe që gjërat të lëvizin.
Ajo rikujtoi se ajo dhe Komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të anëtarësimit, Johannes Hahn, zhvilluan takime me përfaqësues të shoqërisë civile, anëtarët e Presidencës së BeH, liderëve të partive politike, me Kryesuesin e Këshillit të Ministrave të BeH, Vjekosllav Bevanda dhe ministrin e Jashtëm të BeH, Zllatko Lakumxhijan.
Sipas deklaratve të saj, përshtypja e parë e fituar ishte se qytetarët e BeH dhe sektori civil janë më se të gatshëm që vendi i tyre të përshpejtojë procesin e integrimeve evropiane, dhe njëkohësisht, siç thotë, ekziston vullneti politik tek politikanët që të përmbushin pritjet dhe të fillojnë të veprojnë në bazat e reja.
Ajo tregoi se ministrave të vendeve të BE-së do t'ju dërgojë një raport ku do t'i informojë për takimet e mbajtura sot dhe vlerësimin e vullnetit politik për të filluar me këtë proces. "Qëllimi nuk është vetëm mbështetja deklarative, por edhe të sigurohen rezultat konkrete për qytetarët e BeH dhe unë mendoj se kjo mund të jetë një mundësi për BeH, për institucionet e saj dhe udhëheqësit politikë të bëjnë progres", tha Mogherini duke shtuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë në BE.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse Rusia mund të ndikojë dhe të ndalojë proceset kur është fjala për BE, Mogherini u shpreh se dje ka biseduar në Bazel me Sergej Lavrov lidhur me çështjen e Ukrainës dhe sfidave globale.
"Në këtë moment ekzistojnë tensionet mes BE-së dhe Rusisë, por njëkohësisht dhe interesi i përbashkët i Federatës Ruse dhe BE-së të gjejmë dhe të zhvillojmë mënyrat e bashkëpunimit dhe jo të konflikteve dhe konfrontimeve. Kjo është në interes të gjithë vendeve anëtare dhe Rusisë. Do të ishte mirë që vendet e Ballkanit Perëndimor t'i lëmë jashtë këtyre proceseve dhe besoj se edhe në Rusi mendojnë në mënyrë të njëjtë", theksoi Mogherini.
Komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të anëtarësimit, Johannes Hahn, në deklaratën e tij për media u shpreh se takimet e sotme ishin vërtet pozitive dhe premtuese.
Siç tha, në BeH, sipas anketave, numri më i madh i qytetarëve mbështet anëtarësimin në BE. "Besoni, në vendet tjera politikanët munden vetëm të ëndërrojnë të kenë mbështetje të tillë të qytetarëve. Këto janë pritje të mëdha. Pritjet të cilat nevojitet të plotësohen", tha Hahn.
Anadolu Agency
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)