Mogherini: Frikësimi dhe
dhuna ndaj gazetarëve, në rritje

Mogherini: Frikësimi dhe<br />dhuna ndaj gazetarëve, në rritje
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini jep alarmin se frikësimi dhe dhuna ndaj gazetarëve është në rritje. Përveç kësaj, Mogherini shpreh shqetësimin për miratimin e ligjeve apo praktikave “që vendosin censurë, inkurajojnë vetë-censurimin apo sigurojnë ndëshkime ligjore, përfshirë sanksione penale, financiare dhe administrative, keqpërdorim të pushteteve të tregut dhe kushte të këqija ekonomike”.
Më poshtë deklarata e plotë:

“Sot ne festojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Në 25 vjetorin e Deklaratës Windhoek, BE dëshiron të kujtojë parimin se “ngritja, ruajtja dhe nxitja e një shtypi të pavarur, pluralist dhe të lirë është thelbësore për zhvillimin dhe ruajtjen e demokracisë në një komb dhe për zhvillimin ekonomik”.
E drejta për lirinë e mendimit dhe të shprehjes përfshin lirinë për të kërkuar, marrë dhe ndarë informacion. Ajo është një komponent kyç i qeverisjes demokratike dhe zhvillimit. Njerëzit duhen informuar plotësisht për të krijuar një mendim dhe për të marrë pjesë në proceset e vendim-marrjes që ndikojnë në jetët e tyre. Liria e informacionit kontribuon gjithashtu për një qeverisje më të mirë, meqë nxit transparencën e çështjeve publike, si dhe mund të përdoret si mjet për t’i bërë qeveritë të përgjegjshme për veprimet e tyre, veçanërisht kur qasja në informacion rezulton me ekspozim të dhunimeve të të drejtave të njeriut apo me praktika korrupsioni.

Sigurimi i qasjes në informacion mund të shërbejë për të promovuar drejtësinë dhe riparimin, veçanërisht pas periudhave të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. BE është e angazhuar të vazhdojë promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe të shprehjes në mbarë botën, jo vetëm jashtë rrjetit, por edhe lidhur me internetin dhe teknologji të tjera komunikuese të informacionit, siç theksohet në miratimin në vitin 2014 të Udhërrëfyesit të BE-së për të Drejtat e Njeriut mbi Lirinë e Shprehjes në rrjet dhe jashtë tij.
BE dënon nivelin në rritje të frikësimit dhe të dhunës që hasin gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, aktorët e medias dhe individë të tjerë në shumë vende të botës kur ushtrojnë të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes në rrjet dhe jashtë tij.

Përveç dhunës së drejtpërdrejtë, BE është e vendosur të luftojë kundër ligjeve apo praktikave që vendosin censorë, inkurajojnë vetë-censurimin apo sigurojnë ndëshkime ligjore, përfshirë sanksione penale, financiare dhe administrative, keqpërdorim të pushteteve të tregut dhe kushte të këqija ekonomike.
BE riafirmon vendosmërinë për të promovuar dhe mbështetur liritë e mendimit dhe të shprehjes si të drejta që duhen ushtruar nga kushdo dhe kudo, bazuar në parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe universalitetit – përmes çdo medie dhe pavarësisht kufijve.
Kjo është e Drejta juaj!”


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit