Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ndodhet në Moskë, në vizitën e parë zyrtare.
 
Gjatë ditës së sotme Mogherini u takua me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov,ku kanë diskutuar për Ukrainën,Sirinë,Libinë,Iranin dhe marrëdhëniet dypalëshe Rusi- BE.
 
Pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura, Mogherini tha se BE kërkon lidhje më të mira me Rusinë, por nuk mund të pretendoje se Moska nuk e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës dhe se sanksionet kundër saj do të mbeten në fuqi, raporton REL.
 
Vendet perëndimore kanë sanksionuar Rusinë,pasi kjo e fundit ka aneksuar Krimenë në vitin 2014 dhe vazhdon të mbështesë separatistët e armatosur në lindje të Ukrainës.
 
Udhëheqësit e vendeve të BE kanë shprehur shqetësime edhe për ndërhyrjen  e dështuar të Rusisë në zgjedhjet kombëtare.
 
BE dhe Moska janë në mosmarrëveshje të thella për shkak të mbështetjes që i jep Kremlini presidentit sirian, Bashar al- Assad, në luftën e tij kundër rebeleve anti-qeveritarë.
 
Ndërkohë e pyetur për persekutimin e dyshuar të homoseksualëve, Mogherini tha se Qeveria e Rusisë është përgjegjëse për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe këtë komunitet.



Redaksia online
D.M/Shqiptarja.com