TIRANE - Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu është ndër të parët personalitete që nënshkruan peticionin drejtuar Kuvendit për të miratuar Rezolutën për Çështjen Çame.

Pasi nënshkroi dokumentin në prani të përfaqësuesve të këtij komuniteti, ish-presidenti u shpreh se shteti duhet të veprojë sa më parë në zgjidhjen e çështjes çame.

“Unë e mbështes rezolutën për çështjen çame dhe të gjitha partitë politike duhet ta mbështesin atë. Kjo është një çështje dhe një rezolutë e të drejtave të njeriut dhe jo diçka nacionaliste. Ne nuk duhet të trembemi për të kërkuar një të drejtë të mohuar” – tha Presidenti Moisiu.

Ndërkohë, kreu i shoqatës Çamëria, Ardian Tana, në fjalën e tij theksoi se firma e parë në këtë peticion, u hodh nga një prej shtetarëve më të zëshëm për të drejtën e shqiptarëve të Çamërisë, në kohën kur mbante postin e Presidentit të Republikës.

“Nënshkrimi i parë për këtë peticion është krenari që vjen nga ju, një mbështetës aktiv i çështjes çame dhe një president që kontribuoi në vendosjen e kësaj çështjeje në plan të parë të politikës shqiptare” , -tha Tana.

Peticioni është nismë e Shoqatës “Çamëria”, që do t’i drejtohet intelektualëve dhe çdo shqiptari, që mbështet çështjen çame dhe në veçanti rezolutën për zgjidhjen e kësaj çështjeje të dorëzuar në Kuvend nga dy deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri.

(Gre.M/Shqiptarja.com)