TIRANE- Ish presidenti Moisiu, ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com se  -“Me anën e protestës së 20 shkurtit, opozita aktuale po bën një testim të vehtes se ku është me elektoratin e saj”. Ndërsa në lidhje me korrupsionin në drejtësi ish Presidenti Moisiu thotë-“ Është e domosdoshme që për punën e bërë në sistemin e drejtësisë duhet kaluar një “filtër”.
 
Z. Moisiu, Partia Demokratike do të organizojë një protestë në datën  20 shkurt, në deklaratat e lidershipit por edhe të ish lidershipit, është hequr një paralele midis kësaj date dhe asaj  23 viteve më pare, si e vlerësoni këtë protestë që organizon opozita e tanishme ?
Në një vend demokratik të drejtën për protestë e kanë të gjithë, dhe mendoj se me këtë të drejtë nuk duhet abuzuar pasi protesta duhet të ketë një motiv të caktuar . Më shumë më duket se me anën e kësaj proteste opozita aktuale po bën një testim të vehtes se ku është me elektoratin e saj sepse të bësh protestë për një qeveri që ka vetëm 5 muaj që qeveris, nuk ka arësye pasi është e vështirë të nxjerrësh konkluzione për kaq pak kohë.

E shoh këtë protestë edhe deklaratën e ish kryeministrit Berisha, si një mobilizim të rradhëve të PD, sepse ata mendojnë se Partia Demokratike po shkoqet dhe duhet t’i ngrejnë moralin militantëve apo anëtarëve të saj. T’i kërkosh llogari qeverisë është normale, por Partia Demokratike, në rradhë të parë duhet që t’i kërkojë  llogari vetes, se përse humbi kaq thellë në zgjedhjet e kaluar parlamentare.
 
Pra ju po thoni se nuk ka asnjë paralele midis datës së kësaj proteste dhe asaj të 23 viteve më parë ?
Protesta e 20 shkurtit e njëzet e tre viteve më parë u zhvillua për të përmbysur një sistem monist dhe për të kaluar në pluralizëm dhe ne jemi në një sistem demokratik dhe ende nuk njohim ndonjë sistem më të mirë se sa pluralizmi,  këtë e ka thënë edhe Çurçilli.
 
Kemi parë muajt e fundit “përplasje institucionale”, midis Presidentit Nishani dhe mazhorancës qeverisëse, për sitemin e drejtësisë apo dhe emërimet e ambasadorëve, cili është komenti juaj ?
Unë për Institucionin e presidentit nuk duhet  flas, por pyetja është konkrete. Eshtë një kontradiktë që ndodh , edhe mua më ka ndodhur si për ambasadorët, sistemin e drejtësisë etj. Por në kohën kur unë isha president, konsultohesha me grupet parlamentare të partive dhe kishte edhe raste kur unë tërhiqesha nga vendimet në raste të caktuara.

Si e shikoni drejtësinë  shqiptare sot, thuhet në popull se gjyqin e fiton ai që paguan paratë ?
Korrupsion ka në drejtësi, por nuk mund të futen të gjithë në një thes. Unë mendoj se vetë Institucionet e drejtësisë  duhet të pastrojnë  ambjentin e tyre që është e vështirë të arrihet. Parlamenti duhet të bindet para se të votojë për figurën morale të çdo kandidati që prezantohet në çdo post  të sektorit të drejtësisë. Unë kam deklaruar në vitin 2006 se ka korrupsion në drejtësi. Korrupsionin mund ta klasifikoj në dy forma. Së pari në korrupsionin  ekonomik dhe në korrupsionin politik. Por korrupsioni  politik është më i dëmshëm se ai ekonomik. Në sistemin e drejtësisë  kërkohet revolucion. Por ky revolucion duhet bërë me vullnetin politik, të partive politike, presidentit, parlamentit.
 
Shohim përfaqësues të sistemit të drejtësisë të cilët kanë në pronësi disa shtëpi apo vila të themi më troç, shtëpi në kryeqytet, bregdet, mal, shpenzime të cilat nuk korespondojnë me të ardhurat që ata marrin nga rroga a duhen marrë masa penale deri në burgosje për gjyqtarët e korruptuar?
Është e domosdoshme që mbi punën e bërë në sistemin e drejtësisë duhet kaluar një “filtër”. Politika të vendosi që këta njerëz duhet të japin llogari ku i kanë gjetur paratë për këtë jetë luksoze, kemi 23 vjet tranzicion dhe ende politika mendon  për të marrë pushtetin se sa për të pasur një shtet ligjor të pastër dhe ende nuk kemi një shtet ligjor. Shteti ynë më shumë është afër me shtetin tribal se sa atë ligjor
 
Raste të vendeve Ballkanike tregojnë se janë çuar përpara drejtësisë kryeministra si psh rasti i Kroacisë  apo edhe gjetkë, mendimi i juaj ?
Qëllimi është se ai që e meriton duhet prangosur, gjërat janë sheshit duhen thirrur shkelësit e ligjit të japin llogari për pasuritë se si i kanë fituar, fatkeqësisht deri më tani  nuk është thirrur asnjë për të dhënë llogari. Përsa i përket goditjes kundër korrupsionit ne nuk kemi vetëm rastin e Kroacisë por edhe Rumaninë, Bosnjën, Slloveninë. 
 
Reforma territorial pse kontestohet nga opozita aktuale ?
Reforma territorial është problem që i takon gjithë qytetarëve sepse do të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve. Të gjithë janë dakort, unë e di që  të gjithë partitë e kanë në programin e tyre, por shoh se shihet në pozitat elektorale dhe partiake. Gjithashtu mendoj se kontestimet për reformën teritoriale  kanë të bëjnë edhe me  interesat e të zgjedhurve vendore, pasi  ka komuna me 1000 banorë dhe kjo është jashtë logjikës ekonomike, që vetëm shpenzojnë nga buxheti i shtetit dhe nuk japin asnjë të ardhur për buxhetin. BE kërkon që duhet të organizohen këto njësi vendore në mënyrë që të mirë administrohen ekonomikisht që të arrijnë të mbajnë veten dhe t’i japin shtetit dhe jo t’i marrin shtetit.

Shkrimi u publikua sot (20.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)