Janë publikuar pamje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë ku një vajzë e vogël 3-vjeçare dhunohet në kopshtin privat “Stinët” në kryeqytet dhe çohet me këmbë të thyer në Spitalin e Traumës.

Pamjet u publikuan dje nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan dhe janë të datës 1 nëntor 2023 në dhomën e gjumit ku ndodhen fëmijët e shtrirë. Në materialin filmik dëgjohet të sharat e edukatores ndaj të miturës, më pas kërcitje që mendohet se është zhurma e thyerjes së kockës dhe më pas të qarat e vajzës..

ORA 13:46 – Vajza qan

Edukatorja 1: Pusho moj… Ua… Ku je ktu mi?!

ORA 13:47 – Futet edukatorja Majlinda Dehima 

Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Çfarë bën ti mi?! Çfarë bën ti mi?! Hë çfarë bën? Çfarë bën mi?! Pse ta kemi ty qefin ne mëngjes, drekë e darkë? Sharabajgë Hiqe moj këmbën këtu, hiqe këmbën, hiqe këmbën.

ORA 13:47 – Dëgjohet kërcitje, vajza fillon të qajë pa pushim

Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Jo, jo… Padashje… jo zemra ime jo... 

Të qarat vazhdojnë deri në orën 15:12 kur vajza bëhet gati për të dalë nga kopshti.

Ndërkohë edukatorja Majlinda Dehima ka thënë para uniformave blu se mendonte që vajza e ka lënduar këmbën tek hapësirat e krevatit.

“Kam goditur me vizore vetëm tek karrigia për t’i tërhequr vëmendjen vajzës për në mësim. Rreth orës 15 e 3 minuta, vajza ka nisur të qajë dhe pas kontrollit që i kam bërë, kam parë që këmba ka qenë e enjtur. Më pas, njoftova menjëherë drejtoreshën e kopshtit. Mendoj që vajza e ka lënduar këmbën tek hapësirat e krevatit” – ka thënë edukatorja. 

Edhe ati i vajzës 3-vjeçare ka treguar se e bija pasi ishte vendosur në allçi kishte thënë se edukatorja e kishte rrahur.

Ai  ka treguar në mënyrë kronologjike edhe njëherë si u trajtua rasti i thyerjes së këmbës të së bijës nga instancat përkatëse.

“Shkuam rreth orës 4 e gjysmë. Mjeku që e trajtoi, di vetëm emrin, quhej Juli. Pasi bëmë grafinë, na mori të dy si prindër me gjithë vajzën na çoi në një dhomë tjetër që ishte për konsulta dhe na tha që vajza ka thyer në gjendje të rëndë këmbën.

Doktori nuk shprehu interes  për të kërkuar një shpjegim apo investigim. Pasi hymë brenda pamë grafinë, nuk erdhi njeri të na pyeste pasi ishte një emergjencë që duhej të shihnim se çfarë kishte ndodhur.

Pasi ikëm tek salla tjetër që zbardhnim grafinë në ekran, nga sa morëm vesh nga mbrapa, një oficer kishte ndaluar zonjën drejtoreshë me gjithë të shoqin e saj duke e pyetur se çfarë ka ndodhur. Zonja, mesa morëm vesh ne, kishte thënë që “jemi të afërmit, nuk ka ndodhur gjë, një aksident i vogël”.  Ai kishte marrë dëshminë që ishte një rast familjar që ka ndodhur. Nuk erdhi të pyeste njeri. Ngeli tamam një enigmë” – tha babai.