Lideri i ri i Iranit, Mojtaba Khamenei, dyshohet se është dërguar në Moskë për një operacion pasi u plagos gjatë sulmeve ajrore që goditën Teheranin në fund të shkurtit.

Sipas raportimeve të britanikes The Mirror, ai është transportuar fshehurazi nga Irani me një avion ushtarak rus dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në një nga rezidencat presidenciale të presidentit rus Vladimir Putin. Media citon raportime të gazetës kuvajtiane Al-Jarida, e cila pretendon se operacioni është kryer në kushte të rrepta sekreti.

Raportet thonë se Khamenei u plagos gjatë sulmeve të para ajrore të SHBA dhe Izraelit ndaj Teheranit më 28 shkurt. Në të njëjtat sulme mbeti i vrarë edhe babai i tij, ish-lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei.

Ndërkohë janë shtuar spekulimet për gjendjen shëndetësore të liderit të ri iranian, pasi ai nuk është parë në publik që nga momenti kur mori drejtimin e vendit.

Presidenti Donald Trump ka ngritur gjithashtu dyshime për gjendjen e tij, duke deklaruar se nuk është e qartë nëse ai është ende gjallë. “Nuk e di nëse është gjallë. Deri tani askush nuk ka arritur ta tregojë publikisht”, tha Trump në një intervistë për NBC.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Khamenei është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po menaxhon situatën në vend.