Moldavia ‘refuzon’ anëtarësimin në NATO, ministri i Jashtëm në samit: Nuk e synojmë, rëndësi për ne ka neutraliteti i vendit

Moldavia ‘refuzon’ anëtarësimin në NATO, ministri i Jashtëm në samit: Nuk e synojmë, rëndësi për ne ka neutraliteti i vendit

Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bukuresht

Moldavia nuk po synon anëtarësimin në NATO, tha ministri i Jashtëm Nicu Popescu, duke shtuar se neutraliteti i shtetit të tij është pjesë e Kushtetutës së vendit.

Por, Popescu, që foli me gazetarët në margjinat e samitit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bukuresht më 30 nëntor, tha se neutraliteti i Moldavisë nuk nënkupton vetëizolim, çmilitarizim ose indiferencë ndaj çështjeve botërore.

Ministrat e NATO-s gjatë takimit dyditor u zotuan se do t’i ofrojnë “mbështetje më të fortë” Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, shtete këto që sipas sekretarit të Përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg, “po përballen me presion nga Rusia” pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Moldavia, një prej shteteve më të varfra të Evropës, ka pranuar qindra mijëra refugjatë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës dhe po ashtu është prekur nga reduktimet e energjisë për shkak të sulmeve të Moskës ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase.

Popescu tha se hapësira ajrore e Moldavisë është shkelur nga raketat ruse që kanë pasur për cak Ukrainën dhe se raketat ruse madje kanë rënë në territorin moldav.

“Ne jetojmë në një rajon të vështirë, të prekur nga agresioni brutal i Rusisë kundër Ukrainës, një fakt që ka pasoja dramatike për shtetin tonë”, tha Popescu.

Moldavia, që kufizohet me Ukrainën dhe me anëtaren e NATO-s, Rumaninë, javën e kaluar paralajmëroi qytetarët që të bëhen gati për një dimër të ashpër, pasi tha se po përballet me “krizë akute” të energjisë, krizë që rrezikon të rrisë pakënaqësinë qytetare.

Në fund të takimit të ministrave të NATO-s, Stoltenberg në konferencën për media tha se aleanca do të rrisë mbështetjen për këto tri shtete, pa ofruar detaje të tjera.

“Mësimi që kemi nxjerr nga Ukraina është se ne duhet t’i mbështesim këto shtete tani”, tha Stoltenberg.

“Këto shtete preken nga ndikimi rus në shumë mënyra, por është më mirë që këto shtete të mbështeten tani sesa më vonë të shohim zhvillime që absolutisht shkojnë në drejtim të gabuar, ashtu siç pamë me pushtimin e Ukrainës më herët gjatë këtij viti”, shtoi ai.

Frika se konflikti në Ukrainë mund të përhapet ka vazhduar të mbretërojë që nga nisja e pushtimit rus, pasi ka shqetësime se Moska mund të tentojë të krijojë një korridor tokësor përmes Ukrainës jugore për në rajonin e shkëputur të Transnjestërit në Moldavi.

Në këtë rajon të shkëputur, Rusia ka vendosur afër 1.500 ushtarë të cilët thuhet se ruajnë në depo të madhe të armëve që ishte ndërtuar në kohën sovjetike.

Përveç këtyre trupave pranë kësaj depoje, Rusia po ashtu ka edhe 400-500 ushtarë të tjerë në rajon, që thuhet se janë trupa paqeruajtëse. Këto trupa janë në këtë rajon që nga përfundimi i luftës më 1992 mes Moldavisë dhe Transnjestërit. Konflikti përfundoi pas një armëpushimi, të cilin e mbikëqyrin trupat ruse./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja