Shkencëtarët kanë arritur të filmojnë një balenë duke lindur, ndërsa balena të tjera femra po e ndihmonin.

Një ekip nga Project Ceti, i cili kërkon të mësojë sesi komunikojnë balenat, ndodhej në një varkë pranë një grupi prej 11 balenash.

Një femër 19-vjeçare e quajtur Rounder ishte e rrethuar nga anëtarë të kopesë teksa po përgatitej të lindte këlyshin e saj të dytë.

Gjatë afro pesë orësh e gjysmë, shkencëtarët dokumentuan sjelljen e grupit, duke i vëzhguar nga varka, duke i filmuar me dronë dhe duke regjistruar tingujt nën ujë. Të dhënat që ata mblodhën, të publikuara të enjten në revistat Scientific Reports dhe Science, përfaqësojnë një rast jashtëzakonisht të rrallë në historinë e shkencës.

Nga 93 specie cetaceanësh, një grup që përfshin balenat, delfinët dhe marsuinët, vetëm nëntë janë vëzhguar duke lindur në natyrë. Edhe më e rrallë ishte fakti që balenat që nuk kishin lidhje familjare me nënën po ndihmonin.

Lindja zgjati 34 minuta, nga momenti kur bishti doli mbi sipërfaqen e ujit deri në lindjen e plotë të këlyshit.

Menjëherë pas lindjes, sjellja e grupit “ndryshoi me shpejtësi”, pasi çdo anëtar u bë aktiv, sipas studimit në Scientific Reports. Balenat e rritura e mbështetën trupin e të porsalindurit pas vetes ndërsa e shtynin nën ujë dhe e nxorën në sipërfaqe për të marrë frymë.

Këlyshët e balenave nxjerrin bishtin përpara dhe jo kokën si shumica e gjitarëve të tjerë. Megjithatë, edhe pse balenat e porsalindura bëhen notare të afta brenda disa orësh, ato prapëseprapë fundosen menjëherë pas lindjes. Prandaj, balena e rritura duhet ta ngrejnë këlyshin për të parandaluar fundosjen e tij dhe për të lehtësuar frymëmarrjet e para

Primatët janë të vetmit gjitarë që dihet se ndihmojnë njëri-tjetrin gjatë lindjes.

Shkencëtarët regjistruan gjithashtu shumë tinguj nga balenat që tregojnë se grupi po koordinohej për ndihmën ndaj balenës nënë dhe të porsalindurit.

Pasi filmuan këtë moment në vitin 2023, shkencëtarët e panë këlyshin e rritur në korrik të vitit të shkuar. Mbijetesa e tij përgjatë vitit të parë është një tregues i mirë se do të arrinte pjekurinë./The Guardian