Një monitorim 7 mujor i organizatës “Qëndresa Qytetare” ka nxjerrë në pah veprimet financiare të 3 universiteteve më të rëndësishme publike, të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Nga vëzhgimi rezulton se universitetet kanë investuar 0 lekë për kërkimin shkencor, ndërkohë që paratë e tarifave të studentëve shkojnë për pajisje zyrash...
Raporti i Qëndresës Qytetare: Ku shkojnë paratë e tarifave të studentëve?
Paratë e tarifave që studentët janë të detyruar të paguajnë për të studiuar në universitetet publike shkojnë më shumë për pajisje zyrash se sa për investimin në kërkimin shkencor. Është ky përfundimi i nxjerrë nga monitorimi 7 mujor , nga muaji shtator i 2017 deri më mars të 2018, i organizatës jofitimprurëse Qëndresa Qytetare në tre universitete publike, atë të Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit.
Në raport thuhet se Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka shpenzuar 15 milionë lekë për pajisje zyrash për titullarët, ndërsa universiteti i Tiranës ka shpenzuar 39 milionë leke për likuidime të punonjësve të hequr padrejtësisht nga puna për faj të titullarëve. Nga monitorimi rezulton se Universiteti “Aleksandër Xhuvani” dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” kanë paguar nga 10 - 14 milion lekë për sigurinë e godinave të universiteteve.
Nga vëzhgimi del se Universiteti i Tiranës ka shpenzuar për personelin rreth 34 milionë lekë të reja, Universiteti i Durrësit 235 milionë lekë dhe ai i Elbasanit 187 milionë lekë. Për blerje mallrash Universiteti i Tiranës ka shpenzuar rreth 5 milionë lekë ndërkohë që për investime nuk ka shpenzuar asnjë leke.
Ndërkaq, universiteti i Elbasanit ka shpenzuar për blerje mallrash 20 milionë lekë dhe për investime 8 milionë lekë. Nga ana tjetër, sipas të njëjtit raport, Universiteti i Elbasanit i ka kaluar një transaksioni prej 44 milionë lekësh me përshkrimin “paga bazë” një personi të akuzuar më parë për korrupsion, Filip Qosja, punonjës të universitetit.
Sipas raportit, Universiteti i Durrësit është i vetmi që ka shpenzuar për investime një vlerë rreth 100 milionë lekësh, ndërsa për blerje mallrash rreth 27 milionë lekë. Siç e shikoni nga tabela, shpenzimet e Universitetit të Tiranës janë shumë më të pakta se dy universitetet e tjera, edhe pse ai është universiteti më i madh publik në Shqipëri.
Organizata Qëndresa Qytetare rekomandon që këto veprime financiare që shfaqin institucionet e arsimit të lartë, duhet të vënë në lëvizje Ministrinë e Arsimit për të qenë më llogari-kërkuese se ku shkojnë paratë e studentëve si dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit për të evidentuar shkeljet.