Monumenti i 100 vjetorit të
pavarësisë, ja 5 finalistët

Monumenti i 100 vjetorit të <br />pavarësisë, ja 5 finalistët
TIRANE - Juria ndërkombëtare ka bërë publike sot 5 projektet finale për konkursin e monumentit të 100 vjetorit të pavarësisë. Njëra prej tyre do të përzgjidhet si fituese e këtij konkursi nga komisioni shtetëror i festimeve të pavarësisë dhe do të marrë çmimin prej 35 mijë eurosh.

Pesë finalistët, të cilët ishin përzgjedhur më parë por janë bërë publik vetëm sot, janë projektet e Blerta Xhomo e Ilirian Shimës, Jorge Pickat, Thoma Thomai, Pierin Kolnikaj, dhe Visar Obria e Kai Roman Kinklas.

Rubens Shima, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe njëkohësisht anëtar i jurisë, ka thënë për mediat se kryesisht konceptet estetike kanë qenë thuajse të ndarë në dy pjesë: artistët vendas kanë propozuar kryesisht vepra tradicionale, ndërsa artistët e huaj kanë sjellë vepra abstrakte.

PERSHKRIMI I 5 PROJEKTEVE FINALISTE

Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas (Kosovë, Gjermani)
Projekti i propozuar nga bashkëpunimi mes dy arkitektëve nga Mynihu frymëzohet nga banesa tradicionale shqiptare. Për autorët, banesa shqiptare ka shërbyer si shtëpi dhe fortifikim njëherësh duke u bërë simbol kombëtar i qëndresës në shekuj. Për të shprehur idenë e pavarësisë ata sjellin një ndërtesë të hapur e cila paraqitet si dy gjysma kubi ku njëra gjysëm mban çatinë dhe tjetra platformën. Kjo strukturë është menduar e lartë, e gjatë dhe e gjerë prej tetë (8) metrash dhe njerëzit mund të kalojnë lirisht përmes hapjes së saj. Në faqet e brendshme anësore të monumentit do të ketë elementë të vizatuar me lazer si: ‘Deklarata e Pavarësisë’, simboli kombëtar i shqiponjës dhe figura njerëzore. Hapja e banesës simbolizon çlirimin e kombit shqiptar dhe kapërcimin nga izolimi drejt lirisë dhe pamjen nga e ardhmja.

Thoma Thomai Dhamo (Shqipëri)
Ky propozim frymëzohet nga imazhi i flamurit. Skulptori ka ideuar një flamur të madh në bronz të shkëlqyer. Materiali i bronzit të shkëlqyer është menduar që ti ndryshojë pamjen monumentit në varësi të dritës së natyrës dhe pasqyrimit të saj mbi të. Projekti synon paraqitjen e një vepre që përpiqet të flasë me gjuhën plastike të skulpturës në shprehjen e lëvizjes së flamurit në valëvitje. Kjo valëvitje, e materializuar në vëllim skulptorik që tenton lëvizjen, shpreh forcën dhe triumfin e një populli në ngritjen e tij historike, ngritje e cila kulmon me pavarësinë.

Jörg Plickat (Gjermani)
Skulptori nëpërmjet një gjuhe të fortë plastike propozon një monument të lexueshëm lehtësisht. Dy hallka të hapura zinxhiri që simbolizojnë çlirimin e popullit shqiptar përbëjnë një monument që mund ti përshtatet madhësive e hapësirave të ndryshme. Ky monument është menduar të jetë në çelik të errët ose të ndritshëm por mund të përshtatet edhe si një skulpturë në gur natyral. Autori është përpjekur të shprehë vështirësitë historike që ka kaluar populli shqiptar për të arritur tek momenti i pavarësisë nëpërmjet formës së ashpër kubiste që i ka dhënë hallkave të zinxhirit dhe përthyerjes së tyre duke ofruar një shprehje artistike sa të thjeshtë aq edhe dramatike.

Pjerin Kolnikaj (Shqipëri)
Skulptori propozon një vepër monumentale të lartë që vjen në formën e obeliskut. Ky monument që kërkon të shprehë madhështinë e momentit të këtij përvjetori është menduar si një mbivendosje shtresash prej mermeri të bardhë. Janë njëqind (100) blloqe mermeri që ngrihen lart në formë vertikale në përkim të njëqind viteve. Ne trupin e kolonës së formuar shfaqen dhjetë (10) kurba të lehta anësore të cilat rrisin vlerat shprehese të figuracionit dhe e pasurojnë atë estetikisht duke simbolizuar njëkohësisht dhjetë dekadat e këtij njëqindvjeçari. Dimensioni i këtij monumenti është në varësi të hapësirës publike që do ti ofrohet.

Blerta Xhomo dhe Ilirjan Shima (Shqipëri)
Autorët propozojnë një variant të stilizuar të shqiponjës dykrerëshe. Shqiponja përbëhet nga dy pjesë të shkëputura nga njëra tjetra në pjesën e sipërme që bashkohen poshtë në qendër për të dhënë idenë e rrotullimit centrifugal duke marrë një formë harkore që ruan si bosht qendrën e skulpturës dhe që e paraqet atë si një trup të vetëm në lëvizje rrotulluese rreth vetes. Kjo shprehje ndihmohet edhe nga platforma ku monumenti mbështetet, e cila nëpërmjet formës së shkallëve që ngjiten drejt qendrës jep idenë e një vorbulle që fillon nga nëntoka. Në qendër të skulpturës, aty ku dy gjysmat bashkohen është menduar të vendoset një pishtar zjarri i cili do të ndriçojë. Imazhi i shqiponjës i cili është ideuar në bronz, përpiqet të përçojë energjinë vitale të popullit shqiptar.

(ap/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza