Moratoriumi, Koka: Reformë jetike
në fushën e pyjeve dhe kullotave për vendin tonë

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka prezantoi sot në komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin, projektligjin “Për administrimin e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar në Republikën e Shqipërisë”.

Ky projektligj i hap rrugën një prej reformave më jetike në fushën e pyjeve dhe kullotave për vendin tonë, u shpreh ministri Koka, ndërsa vlerësoi se, për herë të parë projektligji përcakton vendosjen e një moratoriumi 10 -vjeçar për mbrojtjen e pyjeve. “Jemi fajtorë për shkatërrim e pyjeve në këto 25 vite. Ndaj moratoriumi, do të shoqërohet me investime dhe masa konkrete” -tha ministri Koka.

Kreu i Mjedisit deklaroi se janë kryer 7200 inspektime për prerjen e paligjshme të pyjeve, ndërsa janë vendosur 700 milionë lekë gjoba dhe janë sekuestruar 6200 metra kub lëndë drusore. “Në 8 vite (2005-2013) janë dhënë 2676 leje mjedisore për shfrytëzimin e pyjeve, ndërsa për periudhën 2014-2015 janë dhënë nga Ministria e Mjedisit vetëm 24 të tilla, 9 prej të cilave në pyjet privatë”, tha ministri.

Projektligji i ri i hartuar nga Ministria e Mjedisit është rezultat i një konsultimi të gjatë me specialistë të fushës, me njësitë e qeverisjes vendore, me përfaqësues të botës akademike, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe aktorë të ndryshëm në fushën e mjedisit, pasi për herë të parë, me këtë projektligj do të zgjidhet ngërçi i krijuar nga kalimi i pjesshëm dhe problematik i fondit pyjor dhe kullosor pranë bashkive.

Projektligji parashtron riorganizimin e qeverisjen e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, duke ngarkuar Ministrinë me funksion politikbërës. Funksionet menaxhuese të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, i ngarkohet bashkive, ndërsa funksionet kontrolluese mbeten atribut i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve.

Ministri Koka vlerësoi faktin se për herë të parë me këtë projektligj do të ndalohet kategorikisht eksporti dhe tregtimi i lëndës drusore në masën 100% . Kjo masë vjen pas një sërë masash të ndërmarra të cilat dhanë efektin e tyre, si ndalimi i eksportit të qymyrit të drurit dhe lëndës së papërpunuar.

MInistri Koka gjatë fjalës së tij bëri të ditur se, ministria e Mjedisit në bashkëpunim me bashkitë do të garantojnë furnizimin e pandërperë me dru zjarri për nevojat për ngrohje të popullatës. “Ndërsa kjo reformë madhore në sektorin e pyjeve do të garantojë zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve në funksion të rritjes së cilësisë së jetës dhe mirëqënies së qytetarëve shqiptarë, në interes të shoqërisë së sotme dhe të nesërme”, deklaroi ministri Koka. /

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash në Lituani