TIRANE-Prokuroria për Krimet e Rënda filloi procedim penal ndaj oficerit të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, Gertmond Koroveshi. Ndaj Koroveshit filloi gjithashtu procedimi disiplinor nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat pas denoncimit për përfitim të paligjshëm të shumave monetare nga një qytetar.

Rasti u denoncua në emisionin "Fiks Fare" në datën 16 prill 2018, ku u dokumentua se oficeri, Gertmond Koroveshi mori një ryshfet prej 500 mijë lekësh nga një qytetar, për t’i mbyllur dosjen. Nga i akuzuar, qytetari kthehet në dëshmitar të çështjes.

Investigimi zbuloi skemën e ngritjes së një akuze për financim dhe kultivim të bimëve narkotike vetëm mbi bazën e një dëshmie. I akuzuari, i cilësuar si “Eskobari” i dytë i Shqipërisë, rifiton pafajësinë pasi paguan oficerin e policisë gjyqësore.