Evi Kokalari ka riafirmuar qëndrimin e saj se Partia e sotme Demokratike është produkt i Rithemelimit dhe ka dy themelues kryesorë: atë dhe Sali Berishën. Si rrjedhojë, ajo e sheh të drejtë që gara për kryetari e partisë të zhvillohet vetëm midis atyre të dyve.
Kokalari thotë se foltoret u mbështetën nga prezenca e saj, por ajo ka përkrah vetes edhe ata që kanë iku me Bashën e Alibeajn. Por, aktivistja thotë se ajo është e pangjashme me Berishën që s’i mban premtimet. “Premtoj pak dhe jap shumë”, shprehet ajo.
Thënë këtë, ajo ka zbuluar për herë të parë edhe një bisedë me Berishën dhe djalin e tij, Shkëlzenin, në fund të vitit 2022 kur e kishte kuptuar se premtimi i tyre për reformimin e partisë nuk do të realizohej. Megjithatë, Berisha s’vonoi t’i bëhej pengesë duke mos pranuar ta bënte pjesë të Kryesisë, ndërsa Shkëlzeni ishte dakord.
“Nuk mbledh Kuvendin për të votuar sërish një person”, ka qenë përgjigjja e Berishës. Kokalari thotë se i ka kërkuar Berishës të largohet edhe në vitin 2024, por tani ka një mesazh të qartë për babë e bir.
“Nëse nuk e kuptoni që “IT’S OVER”, atëherë me hir ose me pahir do t'ja u bëj të qartë. Por është fatkeqësi që doni të bëni një dalje kaq vulgare dhe ta mbyllni ciklin tuaj në një formë kaq të turpshme. Të paktën një fije dinjiteti duhet ta ruani, sepse kur njeriu vdes, vetëm emri i mbetet. Dhe historia që po shkruani do të mbahet mend si një nga episodet më të liga të politikës shqiptare”, shkruan Kokalari.
Ajo u vë disa kushte duke u thënë se kualifikimi duhet të bëhet menjëherë, Gazment Bardhi s’mund të hartojë listat dhe duhet të distancohet nga gara, aktivistja të ketë kohë të mjaftueshme për listat dhe garën dhe të ketë debate mes saj e Berishës.
Për votimet, Kokalari zotohet se procesi do të ndiqet nga vëzhgues të sjellë personalisht prej saj.
Reagimi i plotë i Evi Kokalarit në Facebook:
“Për ata që thonë “çfarë kontributi ke në PD”, kuptoni që PD-ja e sotme, e drejtuar nga Sali Berisha dhe Shkelzen Berisha, është derivat i drejtpërdrejtë i Rithemelimit dhe jo i PD-së së 1991-shit.
Nëse kjo do të ishte PD-ja e 1991-shit, baza do t’i ishte bashkuar plotësisht lidershipit të Berishës – dhe kjo nuk ndodhi. As pas marrjes së vulës, as pas ikjes së Bashës. Në fakt, baza aktuale e PD-së, është ajo e foltoreve, por shumë më e reduktuar.
Nëse Berisha ka nevojë për rikujtesë: mbështetja e foltoreve erdhi thjesht sepse prezenca ime u dha një shpresë tjetër demokratëve. Berisha e shfrytëzoi këtë duke premtuar vazhdimisht ndryshime, hapje të partisë, meritokraci dhe primare. Asnjë nga këto premtime nuk u mbajt. Kur unë mbajta qëndrim publikisht, baza e foltores u thye. Shumë u larguan, ndërsa të tjerët që janë akoma aty, janë pa asnjë motivim apo shpresë për fitore.
Në këtë pikë, mbështetja e Rithemelimit ndaj meje është shumë më e madhe se ajo ndaj Berishës, edhe pse publikisht vazhdojnë të kenë frikë të flasin. Por mbështetja e Rithemelimit nuk është e vetmja që kam. Kam mbështetje edhe nga ata që ikën me Bashën dhe Alibeajn. Pra, holla-hollë, as Berisha e as kush tjetër nuk mund të mbledhë në këtë parti mbështetjen që kam unë.
Por shto këtu edhe ata që kanë ikur gjatë 35 viteve të fundit. Janë pikërisht ata që dua të kthehen, sepse pa ta nuk fitojmë.
Demokratët nuk janë budallenj. Ata që më gjykuan kur dola në krah të Berishës, sot më mbështesin sepse panë që kthesa ime ishte e plotë brenda 9 muajsh. Ja aq më mori për të kuptuar qartë se çfarë po ndodhte në atë parti. Por dhe ata të Rithemelimit dhe që ishin pjesë e foltoreve, nuk e kanë harruar luftën që kam bërë për të ruajtur votën e tyre dhe meritokracinë në atë parti.
Lufta ime që nga Kuvendi i Prillit 2022 e gjatë katër garave që pasuan (Këshilli Kombëtar, garat për Kryesi, gara e FRPD-së dhe primaret për Bashkinë e Tiranës) e ka vulosur track record-in tim. Unë nuk jam aspak si Berisha – njeriu i premtimeve të pambajtura. Jam e kundërta: premtoj pak dhe jap shumë.
Në fund të 2022-s (nëntor-dhjetor) mbas fiaskos së primareve të Bashkisë ku Alihmemeti u shit tek Berisha duke vrarë meritokracinë dhe duke i dhënë fitoren një votë-mashtruesi, u ktheva në Shqipëri, u ula me Sali Berishën dhe Shkëlzen Berishën dhe u thashë se e kisha kuptuar tashmë qartë: ata nuk do të bënin atë që kishin premtuar. Prandaj do të futesha vetë për të ndryshuar PD-në nga brenda. Berisha e priti mirë propozimin, sidomos kur i thashë se do të dilja në fushatë me kandidatët për bashki. Por ai refuzoi të më bënte pjesë të Kryesisë. I bëra të qartë: pa hyrë në Kryesi, nuk pranoj të marr urdhra nga Vokshi apo Këlliçi.
Përgjigja e Berishës ishte: “Nuk mbledh Kuvendin për të votuar sërish një person”. Megjithatë, vitin pasues ai mblodhi Kuvendin për të vënë në qendër të vëmendjes Argita Malltezin, së cilës i ishte futur në mendje se do të bëhej kryetare e PD-së – sikur tapinë e partisë ta kishin regjistruar në arkivat e shtetit apo hipotekat lokale. Edhe atëherë e bëra të qartë se do të hyja në garë dhe mezi prisja të debatoja me Malltezin. Me sa duket ajo u tremb dhe doli nga loja.
Në 2024, pas fitores së Trumpit, i dërgova një mesazh shumë të qartë Berishës për të dalë nga loja. Po ta kishte bërë, shanset ishin mbi 90% që t’ia merrja Edi Ramës.
Pra, mandati i katërt i Ramës është dhuratë e Berishës!!
Në maj 2025, pas humbjes, i thashë sërish të dilte nga loja.
Më 6 gusht 2025 i dërgova mesazh si Berishës ashtu edhe Shkëlzenit, duke u thënë sërish se PD-në nuk e lë më dhe se tentativat e tyre për të më ndaluar nuk do të funksionojnë.
Më 15 gusht u padita nga një e çmendur që s’ka as karrierë, as dinjitet për t’u krahasuar me mua. Padia u bë në Nju Jork me qëllim të vetëm: të më shtonte barrë financiare që të mos merresha me ta. Padia është e mbushur me shpifje që kanë dalë drejtpërdrejt nga zyra e Çim Pekës – dhe ai personalisht do ta paguajë një ditë.
Pra, kjo kronologji tregon qartë që unë PD-së nuk i jam larguar kurrë. Madje, duke e ditur që kjo po bëhej nga jashtë, me ndihmën e të huajve, aty vendosa të fokusohem.
Gjatë dy viteve të fundit i vura vetes dy qëllime kryesore në SHBA:
- Grenell nuk do të bëhej Sekretar Shteti – dhe ashtu ndodhi.
- Ndalimi i heqjes së sanksioneve ndaj Berishës, sepse ndryshe ai do të vazhdonte ta mbante peng PD-në.
Tashmë Grenell do të ballafaqohet së shpejti me hetime për korrupsion të pastër.
Heqja e PD-së nga duart e keqbërësve është një betejë e vështirë që pak njerëz kanë takat ta bëjnë. Jo ata që kanë bërë burg dhe kanë të shkuar kriminale, e as ata që e kanë sulmuar PD-në më parë – ata s’kanë lidhje fare me këtë punë. Në fakt, Babalja le të kthehet në PD-në e vet, atë të Lul Bashës, sepse përmes saj e bëri “luftën” kundrejt nesh, të Rithemelimit.
PD-ja merret me ndihmë nga SHBA-të dhe riformohet nga njerëz me integritet, pa interesa personale mbi partinë, por me misione që do t’i çojnë deri në fund.
Pra, ndryshe nga çfarë thotë sekretari i PD-së se unë s’jam bërë anëtare, përveçse themeluese e PD-së aktuale, në nëntor 2022 i thashë si Sali Berishës ashtu edhe Shkëlzen Berishës të më fusnin në Kryesi. Atëherë Shkëlzeni donte, Berisha jo. Por sot shoh monstrat e grupit të Bashës pa pikë turpi të ulen në Kryesi – si Gaz Bardhi dhe Gjekmarkaj.
Kur u bë Kuvendi për t’i futur ata në Kryesi (sepse nuk e mbaj mend), dhe nëse ata janë bërë pjesë e Kryesisë pa asnjë votim real, atëherë Shkëlzen Berisha urgjentisht të fusë emrin tim në Kryesi.
Me pak fjalë:
PD-ja e sotme është derivat i Rithemelimit dhe ka dy themelues kryesorë:
SALI BERISHËN dhe EVI KOKALARIN.
Dhe beteja e ardhshme na takon vetëm ne të dyve, sepse në krijimin e Rithemelimit, Sali Berisha kontrollonte strukturat, por nuk kishte mbështetje.
Evi Kokalari kishte mbështetje, por jo strukturat.
Sot mbështetjen vazhdoj ta kem unë, duke shtuar edhe atë të grupit Basha/Alibeaj. Strukturat do t’i ndërtojmë edhe pa qenë aty Noka e ata që merren me to. Madje, pa “Nokrat” e “Voksherat”, strukturat do të jenë shumë më të forta.
Berisha momentalisht ka vetëm vulën. Dhe ajo vulë duhet t’i bashkohet atij që ka mbështetjen, sepse vula pa mbështetje nuk të çon në fitore, por në humbje super të thella – si ajo që Berisha pësoi në maj 2025.
Prandaj, kjo garë për kryetar duhet të jetë vetëm mes dy themeluesve të Rithemelimit: Sali Berishës dhe Evi Kokalarit.
Kjo është një betejë e brendshme dhe as babalet, as zhurmuesit e tjerë nuk mund të jenë pjesë e një beteje të këtij kalibri.
Ndërkohë, Shkëlzen Berisha të kuptojë që jo vetëm nuk mund të më skualifikojnë, por kualifikimi duhet të bëhet menjëherë. Listat e votuesve nuk do të lihen në dorë të Gaz Bardhit, të cilin personalisht nuk e njoh në asnjë rol që mund t’i keni dhënë – dhe duhet të distancohet totalisht nga kjo garë në çdo kapacitet.
E dyta: jo vetëm që do të më lini kohë të mjaftueshme për listat, por edhe për garën vetë. Berisha duhet të ketë disa debate publike me mua, ku të ballafaqohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Partinë Demokratike. Nëpërmjet debateve duket qartë diferenca midis kandidatëve.
Oh, dhe votimet: çdo votë do të ruhet nga vëzhguesit që do të sjell unë personalisht dhe që janë anëtarë të PD-së.
Çdo tentativë për manipulim të asaj që përmenda më lart, do të ballafaqohet vetë Shkëlzeni dhe kushdo qoftë pas tij me SPAK-un dhe institucionet e tjera përkatëse.
Nëse nuk e kuptoni që “IT’S OVER”, atëherë me hir ose me pahir do t'ja u bëj të qartë. Por është fatkeqësi që doni të bëni një dalje kaq vulgare dhe ta mbyllni ciklin tuaj në një formë kaq të turpshme. Të paktën një fije dinjiteti duhet ta ruani, sepse kur njeriu vdes, vetëm emri i mbetet. Dhe historia që po shkruani do të mbahet mend si një nga episodet më të liga të politikës shqiptare.
Avokati im pret përgjigje – jo vetëm miratimin e kandidaturës, por një diskutim të detajuar mbi listat, vëzhgimin e tyre, garën vetë dhe çdo detaj tjetër që ka të bëjë me garën për kryetarin e ardhshëm.
Mund të më kontaktoni edhe mua direkt, nëse nuk doni të kaloni përmes avokatëve. Gjithsesi, çdo detaj do t’i kalojë edhe zyrës së tij, pasi ai do të merret me DASH-in kur dhe nëse do të jetë e nevojshme”, shkruan Kokalari.
Komente












