Një punonjës i Policisë së Shtetit është arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohet se mori para për të favorizuar një person të vendosur në masën e sigurisë "arrest shtëpie".

Sipas AMP-së, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u arrestua inspektori Çlirim Torra, me detyrë SPZ pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, Komisariati i Policisë Librazhd.

Nga hetimet dyshohet se efektivi ka marrë një shumë parash për të favorizuar shtetasin me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë "arrest shtëpie", duke i mundësuar shkeljen e kësaj mase dhe largimin nga banesa.

Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj inspektorit rëndojnë dyshimet për veprat penale "Korrupsion pasiv" dhe "Shpërdorim detyre".

AMP bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësive të personave të përfshirë, ndërsa thekson se do të vazhdojë të veprojë me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe çdo shkeljeje që cenon integritetin e punonjësve të strukturave ligjzbatuese.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

"Arrestohet në flagrancë punonjësi i Policisë, dyshohet se do të ndihmonte personin me “arrest shtëpie” të largohej nga banesa

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka finalizuar një veprim hetimor, në kuadër të të cilit është arrestuar në flagrancë Inspektor Çlirim Torra, me detyrë SPZ pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, Komisariati i Policisë Librazhd, DVP Elbasan.

Nga veprimet hetimore dyshohet se punonjësi i Policisë ka marrë një vlerë monetare për të favorizuar shtetasin me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie”, duke i mundësuar shkeljen e kësaj mase dhe largimin nga banesa.

Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj Inspektor Çlirim Torrës rëndojnë dyshimet për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Veprimet procedurale janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Hetimi vijon për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të personave të përfshirë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të vijojë me zero tolerancë ndaj korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe çdo veprimi që cenon integritetin e punonjësve të strukturave ligjzbatuese"

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë