Partia Demokratike ka dalë me një deklaratë ku akuzon Gëzim Bashllari, drejtor i Komisariatit të Sarandës, por i pezulluar nga detyra, si një ‘ushtar’ të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, i cili ka shërbyer në grumbullimin e votave në zgjedhje dhe një besnik i ish-kryepolicit Ilir Proda.
Bashllari u pezullua nga detyra dhe u arrestua së bashku me 3 vartësit e tij, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, pas konstatimit të një beach bar-i privat e pa leje në vijën bregdetare të Sarandës. Dyshohet se të gjithë të arrestuarit kanë marrë ryshfete nga eksponentë të krimit në qytet për të lejuar ndërtimin e pa leje.
Ndër të tjera, PD thotë se Gëzim Bashllari po i bëhet trajtim preferencial në paraburgim pasi nuk po mbahet në qeli, por në spitalin e burgut. Opozita pretendon gjithashtu se Bashllari ka qenë një “nga personat e përdorur nga Edi Rama në operacionin e rrëmbimit politik të Presidentit Ilir Meta, operacion për të cilin më pas u shpërblye me promovim dhe mbështetje politike.”
Deklarata e plotë e PD
Arrestimi i Shefit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, nuk është gjë tjetër veçse pjesë e skenarit të luftës së bandave brenda Policisë së Shtetit dhe qeverisë për kontroll territoresh. Ashtu siç ka bërë paraardhësi i tij Proda, Didi e të tjerë, të njëjtën gjë po bën edhe Skënder Hitaj me emërimet e paraardhësit. Gëzim Bashllari u emërua në këtë detyrë si njeri besnik i partisë nga Ilir Proda. Emërimi i tij në një nga qytetet ku pastrimi i parave të drogës dhe korrupsionit është i dukshëm, nuk është i rastësishëm. Është pjesë e një zinxhiri të së gjithës që fillon nga Kryeministri dhe shtrihet deri tek hallka më e fundit e Policisë së Shtetit.
Aktivizimi i tij gjatë proceseve zgjedhore, në favor të qeverisë dhe në dëm të opozitës, është shërbimi i parë i madh për partinë. Bashllari ka qenë gjithashtu një nga personat e përdorur nga Edi Rama në operacionin e rrëmbimit politik të Presidentit Ilir Meta, operacion për të cilin më pas u shpërblye me promovim dhe mbështetje politike.
Për këto arsye po bëhen përpjekje për ta mbrojtur dhe favorizuar. Sipas raportimeve mediatike, aktualisht ai nuk mbahet në ambientet e paraburgimit, por në spitalin e burgut, çka shton dyshimet mbi trajtimin preferencial që po i ofrohet, duke i thënë ‘nuk i kemi harruar shërbimet’. Gëzim Bashllari dhe zinxhiri komandues nuk u arrestuan sepse shkelën ligjin për lejimin e disa kateve pa leje. Ata u arrestuan sepse në krye të komisariateve po ndodh rokada për të sjellë njerëzit e Lubi Ballukut dhe Oltion Bistrit, është luftë për territoret e fitimit siç po ndodh edhe te lojërat e fatit dhe bastet.
Partia Demokratike dënon me forcë kriminalizimin e Policisë së Shtetit, i cili ka filluar që në epokën Tahiri dhe vazhdon me ritme të njëjta ose edhe më shumë sot e kësaj dite. Spektaklet bajate të luftës brenda klaneve të Policisë së Shtetit, që dirigjohen nga Kryeministri, nuk bindin askënd. Në rast se Hitaj arrestoi Bashllarin, do të emërojë në vend të tij një Bashllar tjetër, i cili njësoj do të mbyllë sytë para trafikut të drogës, luftës për territore të bandave apo kriminalitetit, mjafton që të ndjekë me përpikmëri urdhrat e Edi Rama.
Partia Demokratike bën thirrje që të ndalet kriminalizimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit, kupola e së cilës është mbushur me patronazhistë, militantë dhe persona të krimit të organizuar. Kjo strukturë sot e kësaj dite gëlon nga Bistrët, Prodat dhe Bashllarët apo të tjerë. Lufta kundër krimit bëhet nga punonjës me integritet dhe moral, të cilët Shqipërisë fatmirësisht nuk i mungojnë, por fatkeqësisht ata janë nën thundrën e krimit të organizuar dhe militantëve të pushtetit.
Komente










