Mori ryshfet, Prokuroria Mat: 6
vite burg për ish drejtorin e OSHEE

Prokuroria e Matit ka kërkuar 6 vite burg për ish përgjegjësin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Burrel, Idriz Driçi për akuzën e korrupsionit pasiv, pasi ai ka marrë 50 mijë lekë nga një abonent i cili kishte vjedhur energjinë elektrike ku i kishte premtuar se nuk do e dërgonte çështjen më tej.

Sipas Prokurorisë ai ka marrë 50 mijë lekë për një ndërhyrje të tillë dhe gjykimi ndaj tij ka nisur me procedurë të shkurtuar, ndonëse ngjarja ka ndodhur në shtatorin e vitit të kaluar, ku punonjësit e OSHEE-së këputën me pinca vulat e sahatit, ndërkohë që i kishin thënë abonentit se nëse fliste me drejtorin, situata mund të rregullohej.

Drejtori Idriz Driçi i mori paratë dhe policia e arrestoi pas përgjimit që i bëri prokuroria e Matit dhe Dibrës, ndërkohë që ka pranuar akuzën.
 
Ja njoftimi i prokurorisë
Prokuroria e Matit kërkon dënimin me 6 burgim për ish-përgjegjësin e OSHEE për zonën e Burrelit, shtetasin Idriz Driçi, i akuzuar për “korrupsion pasiv..”. Nga hetimi dhe në gjykim rezultoi e provuar se Driçi, duke urdhëruar punonjësit e tij që të ndërhyjnë në mënyrë abuzive dhe të dëmtojnë sahatin elektrik të shtetasit D.K., i ka kërkuar dhe marrë shumën prej 50 mijë lekësh të reja, në këmbim të mos-kallëzimit per “shkeljen” e konstatuar në aparatin matës tee abonentit.
Gjykimi ndaj të pandehurit është zhvilluar me procedurë të shkurtuar.
Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri Driçi ka ndodhur në dt. 15.09.2015, kur disa punonjës të OSHEE kanë shkuar në vend-ushtrimin e aktivitetit privat të shtetasit D.K., me qëllim kryerjen e një kontrolli “rutinor”. Gjatë kontrollit, njëri prej punonjësve të OSHEE i ka këputur me pinca vulat e sahatit të energjisë elektrike në prani të të dëmtuarit dhe të tjerët e kanë kanosur, duke i thënë se do të njoftojnë policinë për ta arrestuar për “vjedhje energjie”. Megjithatë, sipas punonjësve të OSHEE, kjo situatë mund të zgjidhet nëse ai “bisedon” me përgjegjësin e tyre, shtetasin Idriz Driçi.
Shtetasi D.K. është takuar me përgjegjësin Driçi, i cili i ka kërkuar 50.000 lekë të reja që ai të mos vijonte procedurat e tjera penalizuese, pavarësisht faktit se dëmtimin e sahatit të energjisë elektrike e kishin kryer me dashje vartësit e tij të OSHEE. I dëmtuari D.K. ka deklaruar se nuk kishte mundësi për të bërë pagesën në atë moment dhe kanë lënë takim një ditë më pas për të dorëzuar shumën e kërkuar të parave.
Pas kësaj bisede, shtetasi D.K. ka bërë kallëzim penal në drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër. Pasi është referuar ky rast në Prokurorinë e Matit, nga ana e prokurorit është lejuar veprimi i mbikqyrur i dhënies së parave.
Ky veprim është kryer në datë 16.09.2015, ora 09.40’ dhe gjatë këtij veprimi është fiksuar fakti se shtetasi D.K. i ka dhënë të pandehurit Idriz Driçi shumën prej 50.000 lekësh, të cilat janë marrë nga ana e tij. Pas marrjes së kësaj shume, i pandehuri Idriz Driçi është futur në automjetin e punës dhe më pas është ndaluar nga ana e forcave të policisë së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër. Gjatë kontrollit personal të tij, i është gjetur shuma prej 50.000 lekësh që i ishte dhënë nga ana e shtetasit D. K.
Në këto rrethana, nga ana e policisë gjyqësore është kryer arrestimi në flagrancë i të pandehurit Idriz Driçi, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Në seancë gjyqësore, gjatë shqyrtimit të kërkesës për vlerësimin e arrestimit të tij dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, i pandehuri Idriz Driçi ka pranuar faktin se është autor i kryerjes së veprës penale.
 


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Administrata Biden pritet të njoftojë ndihmë 'masive' ushtarake për Ukrainën

Administrata Biden pritet të njoftojë ndihmë 'masive' ushtarake për Ukrainën