Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale ku i përgjigjet Florjan Haçkës - një prej emrave të përfolur si kandidat i opozitës në kohën kur në Tiranë priteshin zgjedhjet e parakohshme për kryebashkiak pas arrestimit të Erion Veliajt - pas një videoje ku i drejtohej shefit të qeverisë me fjalët “o ndyrësirë” për frazën “fuck you” që shefi i qeverisë përdori në intervistën me “Financial Times.”

Në përgjigje, Rama, që e identifikon Haçkajn si “demokrat 24 karatë”, shprehet se nuk ishte një frazë drejtuar popullit shqiptar, por atyre që e akuzojnë pa pasur asnjë provë.

“Më çuan videon e këtij djalit dhe, përpara se të dëgjoja sharjet, ndjeva sëkëlldinë e tij. Pyeta për të. Demokrat 24 karat, nip i një demokrati të respektuar, profesionist me të cilin më lidh respekti i ndërsjellë. Fakti është se unë nuk ua kam thënë shqiptarëve kurrsesi atë fjalë. Duket qartë edhe në artikull. Kur gazetari më ka pyetur si u përgjigjesh atyre që të akuzojnë se je kumbari i qeverisë, i thashë shkurt fjalën që meriton kush në fakt më akuzon papushim, vite e vite, dhe s’ka lënë dy gurë bashkë për të më baltosur dhe varrosur, por kurrë asnjë provë.Nga një orë bisedë e lirë, ai zgjodhi pikërisht atë fjali. Po unë nuk jam pishman,”, tha Rama.

Haçkaj e akuzon kryeministrin si shkaktarin e degradimit të standardeve të sistemit të Shëndetësisë, që e detyroi babin e tij, alpinistin e njohur Ibrahim Haçkajn, të kurohej jashtë vendit sepse në Shqipëri e trajtonin për ulcer ndërkohë që ai kishte probleme me mëlçinë, por më pas ndërroi jetë.

Rama thotë se sipas verifikimeve, alpinisti i njohur është kuruar jashtë dhe s’ka shkelur në asnjë spital publik të Shqipërisë, teksa shton:

“Më erdhi sinqerisht keq dhe, përpara se sa të përgjigjesha, u interesova për rastin. I ndjeri babai i këtij djali, nuk ka shkelur asnjëherë në asnjë spital publik të Shqipërisë, por fillimisht është kuruar në një spital privat, diku këtu e dhjetë vjet më parë. Djali ka shkuar larg bashkë me valën e revolucionit imagjinar të bulevardit, urrejtja politike dhe furia e algoritmit e kanë bërë të më fajësojë mua publikisht. Pas dhjetë vjetësh, kur i ati nuk u shërua dot në Tiranë nga kanceri i mëlçisë dhe ndërroi jetë në Vjenë kthehet në skenë për t'u përdorur si “mish për top”,” thotë Rama, teksa pohon se shëndetësia ka nevojë për më shumë punë.

“Mos e kruaj me popullin! Mos i jep gojës! Ik e një orë më parë!”, shprehet djali në video.

“Jo popullit, jo. Jo popullit, se as ky djali dhe as ata që u djeg ajo fjala pasi më akuzojnë e më shajnë si të dalë duarsh e mendsh, as nuk janë populli, as nuk flasin dot në emër të popullit sepse populli flet vetë, kur i vjen radha dhe ka folur kur ishte dita, do flasë përsëri kur t’i vijë dita. Ndërsa ata njerëzit një e nga një, askush nuk i ka linçuar, thjesht janë ekspozuar për tu çmaskuar me fakte si individë shoqërisht të rrezikshëm apo si manipulatorë të paskrupullt, jo me shpifje, jo sharje si këto llafet më të ulëta të rrugës që janë bërë tani norma e ditës dhe që në këtë rast turpërojnë edhe babain e ndjerë”, është përgjigjja e kryeministrit.

Më tej, qytetari i kërkon të japë dorëheqjen që “shqiptarët ta marrin Shqipërinë në dorë”, por Rama i rikujton kontratën.

“Jo sepse unë jam i lidhur me një kontratë me tjetër kënd, që quhet populli sovran i Shqipërisë, me të cilin kam firmosur deri në 2029-ën dhe dua t’u siguroj të gjithë atyre që janë sinqerisht e nuk kane parti apo para nga pas për të yshtyr këtë protestë se unë nuk i ngatërroj shqetësimet, hallet e zemërimin e tyre me këto personazhe të padinjitetshme që turpërojnë mexhelisin tonë publik. Por, me të neutralizuar një të keqe shumë të madhe dhe me shumë koka që ka kapur për fyti protestën, padiskutim që unë do të kthehem drejt masës domethënëse të njerëzve, të njerëzve pavarësisht nga çfarë kahje vijnë që duan të dëgjohen dhe do t’u them se çfarë kam kuptuar nga e gjithë kjo nevojë e tyre për të protestuar dhe si mendoj unë se duhen adresuar ato që së brendshmi, sinqerisht i thërrasin njerëzit drejt protestës, drejt nevojës për tu dëgjuar dhe po ashtu drejt admirimit për ata që protestojnë edhe në emër të tyre pikërisht për arsye të kësaj nevoje”, përfundon kryeministri.

P.J/K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 24 Qershor, 15:40

    Si ju duket plani i protestës për të shpërndarë qeverinë e Kuvendin dhe zgjedhja me short mes qytetarëve?