Tre persona janë arrestuar në Sarandë të cilët po trafikon lëndë narkotike. Në pamje dëgjohet momenti kur efektivët ndalojnë tre të dyshuarit me thirrjet “Mos lëviz!”, ndërsa i neutralizojnë dhe u vendosin prangat.

Tre të arrestuarit u kapën në flagrancë në aksin Nivicë–Sarandë, pranë urës së Kakomesë, duke lëvizur me dy automjete. Gjatë kontrollit në mjetin që drejtonte një 31-vjeçar policia gjeti dhe sekuestroi 5 kilogramë kanabis që do t’i shisnin në Sarandë dhe Ksamil.

Sipas hetimeve paraprake, një 26-vjeçar udhëtonte me automjetin tjetër për të monitoruar itinerarin dhe për të sinjalizuar praninë e patrullave të policisë, me qëllim shmangien e kontrolleve.

“Në Sarandë, si rezultat i hetimeve proaktive 3-javore të kryera me metoda speciale të hetimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, finalizuan operacionin policor të koduar "Transportuesit".

Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas:

- A. N., 31 vjeç, banues në Lukovë, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe për armëmbajtje pa leje;

- K. J., 26 vjeç, banues në Sarandë, me precedent penal në fushën e narkotikëve;

- A. C., 30 vjeç, banues në Lukovë.

Tre shtetasit u kapën në flagrancë në rrugën "Nivicë–Sarandë", pranë urës së Kakomesë, duke lëvizur me dy automjete. Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte A. N., ku udhëtonte edhe A. C., u gjetën dhe u sekuestruan 5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e dyshuar se transportohej me qëllim shitjen në Sarandë dhe Ksamil.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. J. lëvizte me automjetin tjetër për të monitoruar itinerarin dhe për të sinjalizuar praninë e shërbimeve të Policisë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë