Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar një inspektim në plazhet e Vlorës, duke u ndalur edhe në zonën e Lungomares.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje nga disa subjekte, të cilat kanë abuzuar me hapësirat e lejuara, duke vendosur çadra dhe shezlongë përtej kapaciteteve të miratuara dhe duke zaptuar zona që duhet të ishin publike.
Gonxhja ka theksuar se për çdo subjekt që shkel ligjin do të ketë sekuestro të pajisjeve, ndërsa sot në Vlorë ka nisur bllokimi i çadrave e shezlongëve në disa pika të plazhit.
Ai ka ngritur shqetësim edhe për problematikat me hartën e ndarjes së hapësirave, duke kërkuar më shumë angazhim nga Bashkia për menaxhimin e vijës bregdetare.
“Sot kemi përcaktuar edhe njëherë që toleranca për rastet kur cënohet, zaptohet, preket prona publike, do të jetë zero. Për ketë kemi ardhur sot në Vlorë. Në kemi qenë më parë edhe në Kavajë, edhe në disa bashki të tjera dhe po vijon monitorimi në të gjithë territorin. Duhet patjetër që të ketë koordinim. Ka dhe raste kur ka lapsuse, por disa raste sot që ne gjetëm në Vlorë ishin shqetësuese. Sot janë konfiskuar shezlonge e çadra. Kush nuk do të luajë me shtetin dhe xhepin e vetë, është mirë mos ta vijojë këtë tentativë”, tha mes të tjerash Gonxhja.
Komente








