Nën moton “Mos ma prek familjen”, dhjetëra protestues protestuan në Sheshin “Skënderbej” kundër ligjit për barazinë gjinore. Ata i bënë thirrje Presidentit Bajram Begaj që të mos e dekretojë ligjin, i cili sipas tyre shkatërron familjen tradicionale shqiptare.
Të pranishmit, aktivistë e qytetarë kritikuan nenin 10, që lidhet me përdorimin e gjuhës me ndjeshmëri gjinore e gjithëpërfshirëse, si dhe neni 33, që parashikon edukimin për barazinë gjinore në sistemin arsimor.
“Me ligje të reja, me gjuhë të ndryshuar, me pasaporta X dhe tualete neutrale. Do ti thonë fëmijëve tanë në shkolla se kanë lindur në trupin e gabuar”, tha pastori Akil Pano.
“Bie ndesh me bindjet morale, kulturore apo fetare të familjeve tona. U heq prindërve edhe vendimmarrjen për përmbajtjen e kurrikulave shkollore”, tha aktivistja Kimete Klenja.
Qytetarët firmosën edhe një peticion kundër ligjit për barazinë gjinore, i cili do t’i dorëzohet Presidencës, ndërsa kërkuan edhe referendum, në mënyrë që verdiktin për këtë ligj ta japë populli.
Në tubim, pati edhe thirrje kundër ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, të cilin protestuesit e akuzuan se ka promovuar ligjin për barazinë gjinore.
“Dua të them që unë kurrë si kam njohur ambasadorët e BE në Shqipëri, por ty të kam njohur se të kam parë në rrugë në të gjithë paradat e organizatave LGBT ndërsa protestoje bashkë me ta. Dua të them sot, lërë familjen shqiptare siç është”, tha aktivistja Linda Pano.
Në protestë nuk munguan as simbole kombëtare dhe himni i flamurit në prag të festave të nëntorit.
Komente












