Shtetet e Bashkuara po e bëjnë gjithnjë e më të qartë se marrëdhënia e Uashingtonit me Albin Kurtin është në pikën më të ulët, edhe pse kryeministri i Kosovës pretendon vazhdimisht për të kundërten.

Djali i presidentit Trump, Donald Trump Jr e ka konfirmuar diçka të tillë teksa ka ndarë postimin e Richard Grenell, ku shpjegohet qartë qëndrimi i SHBA për Kurtin.

Grenell shkroi në platformën X se qeveria e Albin Kurtit nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Donald Trump dhe as gjatë presidencës së Joe Biden.

I dërguari i Trump për misione të posaçme e bëri të qartë se Kurti është kritikuar si nga republikanë ashtu edhe nga demokratë, se ka ndërmarrë veprime destabilizuese në rajon.

Kryeministri madje është bërë shkak për mungesën e investimeve amerikane në Kosovë, sipas Grenell, teksa në Shqipëri dhe Serbi kompanitë amerikane vijojnë të zhvillohen.

Donald Trump Jr, duke ndarë postimin e Grenell, e bënë të qartë se ajo nuk është thjesht deklaratë e emisarit amerikan, por qasja e administratës së re ndaj qeverisë Kurti.