MOSKE- Presidenti rus Vladimir Putin shkarkoi sot nga detyra ministrin e Mbrojtjes pas një skandali korrupsioni. Anatoly Serdyukov është zëvendësuar menjëherë me ish ministrin e Emergjencave Sergei Shoigu.

 Lëvizja surprizë erdhi menjëherë pasi u bënë publike hetimet në të cilat u konfirmua se ministria kishte shitur asetet e saja me një çmim poshtë nivelit të tregut. Putin tha se ka marrë vendimin për ta lëvizur nga detyra Serdyukov për të krijuar kushtet për një hetim sa më objektiv.

Muajin e kaluar, hetuesit rusë bastisën zyrat e një kompanie të kontrolluar nga shteti nën dyshimin se kishte shitur asetet ushtarake me një humbje prej 100 milionë dollarë. Si pjesë e hetimit është duke u kontrolluar edhe marrëdhënia e Serdyukov me ish drejtuesit më të lartë të ushtrisë.
(sg/shqiptarja.com)