Në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe të Ukrainës kanë rënë dakord për furnizimin me municione për sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot. Kështu ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke folur në Forumin e Dytë Kombëtar të të Rinjve të Talentuar, në përgjigje të një pyetjeje mbi rezultatet e vizitës së tij në Davos. Lajmi raportohet nga agjencia ukrainase Ukrinform.
«Kam folur me presidentin Trump dhe kam marrë – nuk do të them sa – raketa PAC-3 për sistemin Patriot», ka thënë Zelensky.
Në Abu Dhabi, do të diskutohet çështja “kyçe” e kontrollit të territoreve në lindje të Ukrainës, ka bërë të ditur paraprakisht presidenti Zelensky. “Çështja e Donbassit është thelbësore”, ka theksuar ai. Mbledhja trepalëshe që u zhvillua sot, Ukrainë, SHBA dhe Rusi, "iu kushtua parametrave për t’i dhënë fund luftës ruse dhe logjikës së ardhshme të procesit negociues, me synimin për të ecur drejt një paqeje dinjitoze dhe të qëndrueshme", ka deklaruar kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, në përfundim të ditës së parë të negociatave në Abu Dhabi.
«Nesër do të mbahen takime të tjera», ka shkruar Umerov në X, duke vënë në dukje se Kievi «e vlerëson» ndërmjetësimin amerikan.
Në bisedime kanë marrë pjesë, sipas Umerovit, «nga pala amerikane, i dërguari special Steve Witkoff, Jared Kushner, Josh Gruenbaum, gjenerali Daniel Driscoll dhe gjenerali Alex Grynkewich», ndërsa nga pala ukrainase, përveç tij, «Kyrylo Budanov, Davyd Arakhamia dhe Serhiy Kyslytsya». Nesër do t’u bashkohen, siç ka njoftuar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, «Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Andriy Hnatov, dhe Zëvendësshefi i GUR-it të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneral-lejtnant Vadym Skibitskyi».
Për delegacionin rus, «ishin të pranishëm përfaqësues të inteligjencës ushtarake dhe të ushtrisë», vëren Umerov.
Për t’i dhënë fund konfliktit, ushtria ukrainase duhet të largohet nga Donbassi. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga mediat ruse.
Kremlini përshëndeti takimin midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff një ditë më parë në Moskë, duke thënë se ishte "i dobishëm në çdo aspekt" dhe duke konfirmuar se një takim trepalësh Rusi-SHBA-Ukrainë mbi "sigurinë" do të mbahet sot në Emiratet e Bashkuara Arabe.
"Është rënë dakord që takimi i parë i një grupi pune trepalësh mbi çështjet e sigurisë do të mbahet sot në Abu Dhabi", u tha gazetarëve këshilltari diplomatik rus Yuri Ushakov.
Ndërkohë Kremlini paralajmëroi nga ana tjetër se nuk do të ketë paqe "të qëndrueshme" në Ukrainë pa një zgjidhje për çështjen territoriale.
"Gjëja e rëndësishme është se gjatë këtyre negociatave midis presidentit tonë dhe amerikanëve, u konfirmua edhe një herë se pa një zgjidhje për çështjen territoriale, nuk mund të pritet një marrëveshje e qëndrueshme", tha Yuri Ushakov.
Një takim mbi çështjet ekonomike do të mbahet gjithashtu sot në Abu Dhabi midis Witkoff dhe të dërguarit të Kremlinit për çështjet ekonomike ndërkombëtare, Kirill Dmitriev, tha Ushakov.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se është ende herët për të nxjerrë përfundime, lidhur me negociatat në Abu Dhabi mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA.
"Është ende shumë herët për të nxjerrë përfundime rreth përmbajtjes së negociatave të sotme në Emiratet e Bashkuara Arabe. Do të shohim se si do të shkojnë bisedimet nesër dhe cilat do të jenë rezultatet. Është thelbësore që jo vetëm Ukraina të dëshirojë t'i japë fund kësaj lufte dhe të arrijë siguri të plotë, por që një dëshirë e ngjashme të lindë disi edhe në Rusi", shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se fondet e ngrira ruse duhet të shkojnë për rindërtimin e territoreve ukrainase.
"Ne sigurisht do të luftojmë për përdorimin e të gjitha aseteve të ngrira ruse, dhe kjo është absolutisht e drejtë", deklaroi Zelensky për mediat.
"Rusia është agresorja. Kjo njihet nga e gjithë bota. Ata e filluan këtë luftë, dhe për këtë arsye është Ukraina që duhet të rikuperohet nga pasojat e agresionit rus", shtoi ai.

Bashkimi Evropian do të dërgojë 447 gjeneratorë emergjence në Ukrainë, pas sulmeve masive ruse në infrastrukturën energjetike të vendit gjatë një dimri të ashpër.
Komisioni Evropian tha të premten se 447 gjeneratorët, me vlerë 4.3 milionë dollarë, kanë për qëllim “rivendosjen e energjisë elektrike në spitale, strehimore dhe shërbime kritike”.
Ukraina ka përjetuar dimër të acartëqë nga fillimi i janarit dhe situata është përkeqësuar nga sulmet ruse në infrastrukturën e vendit, duke lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje.
Që nga fillimi i pushtimit rus pothuajse katër vjet më parë, BE-ja ka dërguar më shumë se 9,500 gjeneratorë në Ukrainë.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se negociatat zyrtare midis Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara kanë filluar në Abu Dhabi.
"Bisedimet filluan sot në Abu Dhabi dhe pritet të vazhdojnë për dy ditë, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të nxitur dialogun dhe për të gjetur zgjidhje politike për krizën", tha Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Foto: Flamuri i Ukrainës dhe ai i BE-së
"Ne përsërisim angazhimin dhe mbështetjen tonë të plotë për Ukrainën që nga dita e parë dhe në mënyrë të vazhdueshme, së bashku me vendet anëtare. Ne jemi mbështetësit kryesorë, duke siguruar tashmë gati 200 miliardë euro deri më sot", tha një zëdhënës i Komisionit Evropian gjatë konferencës së përditshme për shtyp.
I pyetur për idenë e një ushtrie evropiane, të rilançuar nga Volodymyr Zelensky në Davos, Brukseli theksoi se deri më tani e ka integruar Kievin "në programe mbrojtëse, të tilla si SAFE dhe EDIP, duke i mundësuar asaj të kryejë prokurime të përbashkëta me shtetet anëtare dhe duke i lejuar industrisë së saj të investojë së bashku me industrinë evropiane".

Foto: Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump
Ndërsa presim të dëgjojmë më shumë rreth takimeve të sotme në Abu Dhabi, ja një historik i bisedimeve të fundit për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë:
Riad, Mars 2025
Ukraina dhe Rusia ranë dakord për një armëpushim detar në Detin e Zi në marrëveshje të ndara me SHBA-në pas tre ditësh bisedimesh në Arabinë Saudite.
Stamboll, Maj 2025
Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia ranë dakord të shkëmbejnë nga 1,000 të burgosur lufte secila, pasi zhvilluan bisedimet e para ballë për ballë me njëra-tjetrën që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska.
Anchorage, Gusht 2025
Në takimin e parë që nga viti 2018, Donald Trump dhe Vladimir Putin shtrënguan duart në Alaska, megjithëse u bë pak përparim drejt paqes. Duke folur me gazetarët pas bisedimeve, Putin tha se ishte arritur një "marrëveshje" e paspecifikuar, por theksoi se "shkaqet rrënjësore" të konfliktit duhet të eliminohen përpara se të arrihet paqja.
Gjenevë, nëntor 2025
Negociatorët amerikanë dhe ukrainas u takuan në Zvicër për të diskutuar një plan paqeje me 28 pika të mbështetur nga SHBA-të. Pasi drafti origjinal u kritikua nga disa si shumë i favorshëm për Kremlinin, u hartua një kornizë e përditësuar paqeje. Zelensky tha se kjo përfshinte "sinjale se ekipi i Presidentit Trump po na dëgjon".
Moskë, dhjetor 2025
Kremlini tha se pesë orë bisedime midis Putinit dhe negociatorit kryesor të Trumpit - Steve Witkoff - nuk kishin arritur të prodhonin ndonjë përparim, pasi pjesë të planit të ri të paqes mbetën të papranueshme për Moskën, përfshirë çështjen e territorit.
Berlin, Dhjetor 2025
Një takim midis zyrtarëve evropianë dhe një delegacioni nga Kievi bëri që SHBA-të të ofronin garanci sigurie të ngjashme me ato të NATO-s, ndërsa Zelensky sinjalizoi për herë të parë se mund të “bënte kompromis” mbi ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n në këmbim të garancive të forta.
Miami, Dhjetor 2025
Pak para Krishtlindjes, të dërguarit e SHBA-së dhe Ukrainës u përqendruan në përafrimin e qëndrimeve mbi një plan 20-pikësh të mbështetur nga SHBA-ja në bisedimet në Miami, ndërsa zyrtarët amerikanë u takuan edhe me të dërguarin rus Kirill Dmitriev.
Mar-a-Lago, Dhjetor 2025
Zelensky dhe Trump u takuan në resortin presidencial në Florida, ku udhëheqësi ukrainas tha se bisedimet mbi një plan të rishikuar të paqes ishin përfunduar "afër 95%".
Davos, Janar 2026
Zelensky deklaroi se bisedimet e paqes kishin arritur në “kilometrin e fundit” pasi u takua me Trumpin në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, ku tha se dyshja arriti një marrëveshje mbi garancitë e sigurisë pas luftës.
Foto nga pasojat e luftës në Ukrainë
Jared Kushner dhe Steve Witkoff do të përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara në bisedimet që po bëhen në Emiratet e Bashkuara Arabe për luftën në Ukrainë. Ndërkohë, Kievi ka dërguar për takimin e parë negociator për përfundimin e luftës me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Rustem Umerov, si dhe shefin e kabinetit të Volodymyr Zelensky-t, Kyrylo Budanov, negociatorin David Arakhamia dhe shefin e shtabit të përgjithshëm, Andrii Hnatov. Delegacioni i Moskës do të drejtohet nga drejtori i GRU-së (shërbimet ushtarake), Igor Kostyukov, nga drejtori i Fondit Rus për Investime Direkte dhe i dërguari i Kremlinit për investimet e huaja, Kirill Dmitriev, i cili do të takohet veçmas me Witkoff-in, në margjinat e sesionit negociator.
Kanë nisur në Abu Dhabi, bisedimet trepalëshe mes Ukrainës, SHBA dhe Rusisë për arritjen e një marrëveshjeje që do ti japë fund luftës në Ukrainë. Takimi vjen vetëm disa orë pasi delegacioni amerikan zhvilloi një takim me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin. Ato u cilësuan mjaft të vlefshme nga Kremlini, i cili më pas më zëdhënësin e tij Dmitri Peskov, theksoi në prag të bisedimeve së pa lëshimet territoriale nga ana e Ukrainës, nuk do të ketë një paqe të qëndrueshme.

Foto: Volodymyr Zelensky
Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se ekipet negociuese nga Uashingtoni, Moska dhe Kievi do të diskutojnë kontrollin territorial të rajonit lindor të Donbasit të Ukrainës gjatë bisedimeve që sot në Emiratet e Bashkuara Arabe.
"Donbasi është një çështje kyçe. Do të diskutohet sot dhe nesër në Abu Dhabi, në mënyrën që të tre palët e konsiderojnë më të përshtatshme", tha Zelensky gjatë një konference online me gazetarë.
Ndërsa Kremlini po zhvillon për herë të parë bisedime të drejtpërdrejta paqeje me SHBA-në dhe Ukrainën, nga Rusia nuk kanë treguar shenja se janë të gatshëm të ndalojë bombardimet e infrastrukturës civile.
Sipas mediave të huaja, derisa të arrihet një zgjidhje diplomatike, Rusia do të "vazhdojë të ndjekë vazhdimisht objektivat e operacionit të posaçëm ushtarak", tha Yuri Ushakov, ndihmësi i Kremlinit, në deklaratën e mbrëmshme.
"Në fushën e betejës, forcat e armatosura ruse mbajnë iniciativën strategjike", tha Ushakov.
Gjatë natës, Rusia sulmoi me rreth 101 dronë Ukrainën, 76 prej të cilëve u rrëzuan, ndërsa 19 goditën 12 vende, sipas forcave ajrore të Ukrainës.
Ushakov përsëriti se “pa zgjidhur çështjen territoriale” në përputhje me atë që Donald Trump dhe Vladimir Putin ranë dakord gjatë takimit të vitit të kaluar në Alaska, nuk do të kishte “zgjidhje afatgjatë”.
Një pengesë kryesore është kërkesa e Putinit që Ukraina të dorëzojë 20% të rajonit lindor të Donetskut që po e mban ende.
Por nga ana tjetër, Zelensky ka refuzuar të heqë dorë nga toka që Ukraina e ka mbrojtur me sukses dhe me kosto të lartë gjatë viteve të fundit.
Foto:Donald Trump
Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti besimin e tij se Presidenti rus Vladimir Putin është i interesuar në arritjen e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën, ashtu si edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
"Mendoj se Presidenti Putin do të donte të bënte një marrëveshje, mendoj se Presidenti Zelensky do të donte të bënte një marrëveshje gjithashtu", tha Trump për gazetarët.
Komente





