JERUZALEM - Kryeministri palestinez Rami Hamdallah i emëruar vetëm dy javë më parë ka ofruar dorëheqjen e tij tek Presidenti Mahmoud Abbas kanë raportuar burime zyrtare. Nuk është ende e qartë, nëse Abbas do ta pranojë dorëheqjen e tij. Burime qeveritare thanë se akademiku dhe njëkohësisht politikan i pavaruar, Hamdallah e mori këtë vendim të papritur për shkak të mosmarrëveshjeve me kreun e Autoritetit Palestinez.  

Kabineti i 54-vjeçarit është mbledhur për herë të parë javën e kaluar dhe përbëhet kryesisht nga anëtarë të partisë Fatah, një prej fraksioneve politike palestineze të udhëhequr nga Abbas. Analistët e politikës e kishin ngritur që në fillim pyetjen se sa vend do t’i lihej realisht kryeministrit për të manovruar pasi ekipi i tij ishte përbërë kryesisht nga anëtarë të Fatahut. Ndërsa fraksioni tjetër kryesor, Hamas, e përshkroi emërimin e Hamdallahut si "të paligjshme", sepse ajo nuk ishte një qeveri uniteti formuar si rezultat i një marrëveshjeje në pajtim.

Abazi ushtron pushtetin e tij në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ndërsa Hamasi, që fitoi zgjedhjet parlamentare të 2006-s, ka kryeministrin e tij në Rripin e Gazës. Nëse dorëheqja e Hamdallahut pranohet, do të shkaktohet një dëm i madh pasi lidershipi palestinez është i zhytur në probleme financiare, ndërsa përpjekjet e kryesuara nga SHBA-ja për ripërtëritjen e bisedimeve të paqes me Izraelin do të merrin një goditje të fortë.


Redaksia Online
(lc/by/shqiptarja.com)