Berisha deklaroi se objektivi kryesor është ai i shpëtimit të jetëve të njerëzve që janë bllokuar nga borë. Ndërkohë që i dërgoi ngushëllimet e tij familje të së moshuarit që humbi jetën pak orë më parë në Pukë.
“Objektivi jonë kryesor dhe më i rëndësishëm është shpëtimi i jetëve të personave në rrezik. Puna intensive e komitetit të emergjencave në bashkëpunim me ushtrinë dhe të gjitha institucionet e përfshira ka bërë të mundur shpëtimin e mbi 10 jetëve, vetëm ditën e sotme. E vetmja viktimë, për fat të keq, ka qenë një 85 vjecar, i cili vuante nga një insuficiencë kardiake kronike. Ndihma e dhënë ishte e rrufeshme, por nuk shërbeu për të shmangur vdekjen e të moshuarit. I dërgojë familjes së tij ngushëllimet e mia më të ndiera” u shpreh Berisha.
"FALENDEROJ MEDIAT PER PASQYRIMIN E SITUATES"
Kryeministri falenderoi mediat të cilat kanë dhënë ndihmën dhe suportin e tyre për qytetarët e bllokuar, por ndërkohë kritikoi ashpër ato media që sipas tij shpifin dhe dizinfomojnë duke përhapur panik në popull. Berisha sulmoi rëndë edhe kreun e opozitës, Edi Rama, të cilin e quajti korbi që bënë ciu ciu nga mëngjesi deri në darkë për të përfituar nga kjo situatë dramatike.
AKUZA ME GJUHE TE ASHPER NDAJ EDI RAMES
“I them zotit Edi Rama, që bënë ciu ciu nga mëngjesi deri në darkë. Je i vetmi që bënë korbin në Evropën e mbuluar nga bora. Je i vetmi që përpiqesh të përfitosh nga një situatë e tillë. Je i vetmi dhe unik që bënë kallogjerin e kasandrën e së keqes. Në një paranojë Enveriane thua që pas borës do vi përmbytja dhe pas përmbytjes do vi dita e fundit.
Ky zotëri ka organizuar një rrjet dizinformimi të paskrupullt. Me telefonatat njofton e mashtron se këtu janë shembur dhjetëra shtëpi. Më e keqja, ky njeri ka për kulturë përdhosjen e vdekjes. Sot nga selia e tij citonte familjen Margega, të një intelektuali të shquar, që sipas tij, nëna e familjes ka mbetur mbi dhe e vdekur.
Nuk i ndërhyhet tjetrit në fatkeqësi. Ta di ky zotëri që ky kod është kod tradite. I them zonjës, që u bë zëdhënëse e Ramës, se është në traditën e tyre të vendosin se sa do ta qajnë të vdekurin. Nëna e këtij qytetari të nderuar është varrosur sipas traditës. Por kjo i duhej Edi Ramës, se pasioni i tij për vdekjen është i papërmbajtur. I Them që kodin mortor duhet ta respektosh si kushti më kryesor për të qenë një njeri i qytetëruar. Shpif trillo sa të duash, por me të vdekurit mos u merr. Lëri në paqen që meritojnë” tha Berisha. ah/shqiptarja.com/