PRAGE/VJENË- Nivelet e lumenjve në Republikën Çeke janë rritur ndjeshëm gjatë natës, ku autoritetet janë detyruar që të hapin dyert e digave të ndryshme në jug të vendit.  Në kryeqytetin e Pragës,janë ngritur barriera për të penguar ujin e tepërt të lumit Vltava.

Në shtetin çek është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në shkallë vendi, me nivelet e ujërave që pritet të rriten gjatë ditës së martë. Rreth 3 mijë persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në perëndim të vendit.

Ditën e hënë, lumi Vltava po lundronte me 2.800 metër kub për sekondë, 10 herë më shumë se volumi i tij normal, duke vërshuar në qendrën historike të Pragës.  Mediat ndërkombëtare raportojnë se të paktën 7 persona kanë vdekur në Çeki dhe dy në Austri si pasojë e përmbytjeve të mëdha dhe shirave të rrëmbyer që prej disa ditësh.

Gjermania ka mobilizuar ushtrinë për të ndihmuar në mbrojtjen e disa qyteteve nga përmbytjet. Ndërsa në qytetin bavarez të Passau-t përmbytjet kanë arritur një nivel që nuk regjistrohej që prej shekullit të XVI, duke bërë që të bllokohen të gjitha hyrjet për në qytet.

Redaksia Online
(l.c/b.y/shqiptarja.com)