Moti i keq në Itali, 9 të vdekur dhe 13 mijë të evakuuar! Alarmi i kuq pritet edhe sot

Përmbytjet e rënda, që pasuan dy ditë shiu të rrëmbyeshëm në rajonin verior italian të Emilia-Romagna, kanë lënë të paktën 9 njerëz të vdekur dhe disa të zhdukur. Më shumë se 13,000 njerëz janë evakuuar, disa u shpëtuan nga çatitë ose ballkonet e shtëpive nga helikopterët dhe të tjerë me gomone të mbrojtjes civile. Mes tyre është edhe një familje me një foshnjë vetëm 20 ditëshe.

Pamjet janë të trishta teksa jetë të shumta kërkojnë dëshpërimisht ndihmë për shpëtim. Nga ballkoni, një familje bëri thirrje për ushqim dhe tha se nuk kishte as energji elektrike e as gaz.

Pasojat që lanë pas përmbytjet janë katastrofike, ndërsa njerëzit panë se si kursimet e një jete iu shkatërrua para syve. Fermerët raportuan humbje të pallogaritshme, ndërsa autoritetet kanë nisur hartimin e pastrimit dhe planet e rindërtimit.

Zyrtarët thanë se për shkak të reshjeve të jashtëzakonshme që nga fillimi i javës, ujërat e 21 nga 23 lumenjtë në rajon kanë dalë nga shtrati, duke prekur 37 bashki. Autoritetet regjistruan në 250 raste rrëshqitje dheu. Mbrojtja Civile raportoi se energjia elektrike u është ndërprerë rreth 50 mijë personave, ndërsa rrjeti i telefonisë celulare është ndërprerë për 100 mijë banorë. Shërbimi italian i zjarrfikësve thotë se ka vendosur 400 zjarrfikës dhe i është përgjigjur 600 thirrjeve që nga mëngjesi i së martës.  Presidenti i rajonit Emilia-Romagna, Stefano Bonaçini tha se shkalla e shkatërrimit nga moti i keq është disa miliardë euro. Ai gjithashtu bëri thirrje që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa pritet të shpallet javën e ardhshme kur kabineti të mblidhet pas kthimit të Kryeministres Giorgia Meloni nga samiti i Grupit të Shtatë në Japoni. 

Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje edhe në Ballkan duke përfshirë Serbinë, Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Slloveninë.

Stuhia e fortë mbrëmjen e së mërkurës ka shkaktuar përmbytje në disa pjesë të Serbisë. 2 persona janë lënduar gjatë stuhisë në Novi Sad, 10 shtëpi janë përmbytur në Koceljevë dhe 3 persona janë evakuuar. Autoritetet kanë bërë të ditur se për momentin nuk është raportuar për viktima.

Emergjenca nga përmbytjet ka edhe në Bosnje-Hercegovinë, ku reshjet e dendura të shiut shkaktuan daljen e të gjitha lumejve nga shtrati duke përmbytur rajonin ndërsa raportohet edhe për rrëshqitje të dheut. Gjendje e fatkeqësisë natyrore është shpallur në Bihaq, Bosanska Krupa, Novi Grad dhe disa qytete e komuna të tjera. Dëmet llogariten në miliona euro.

Edhe në Kroaci, në qytetin Hrvatska Kostajnica, Lumi Una ka vërshuar duke dalë nga shtrati. 100 shtëpi janë përmbytur plotësisht, ku uji arrin deri në një metër i lartë. Dëmet janë të mëdha, por deri më tani nuk ka raportime për viktima, ndërsa banorët e prekur janë evakuuar. Një situatë të vështirë, por pa emergjencë, ka edhe në Slloveni, e prekur gjithashtu nga reshjet e shumta.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aeroporti i Kukësit, Albcontrol studim fizibiliteti për infrastrukturën e trafikut ajror

Aeroporti i Kukësit, Albcontrol studim fizibiliteti për infrastrukturën e trafikut ajror