Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë sjellë përmbytje në qytetin e Vlorës. Disa rrugë janë nën ujë, ndërkohë që Report Tv ka mësuar se edhe zona tek porti i Vlorës është përmbytur për shkak të shiut që ka rënë.

Kjo ka sjellë vonesë në kalimin e pasagjerëve, pasi ambiente dhe dyqane pranë Portit janë nën ujë. Ndërkohë që reshjet e shiut kanë vijuar edhe përgjatë ditës së sotme. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:02
Moti i keq, Ministria e Infrastrukturës: Ja situata e porteve në të gjithë vendin

Pas përkeqësimit të situatës meteorologjike në vend dhe përmbytjes së zonës pranë portit detar të Vlorës, ka ardhur reagimi edhe nga Ministria e Infrastrukturës. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Infrastrukturës bën me dije se situata në tërësi është normale, me përjashtim të përmbytjes së godinës së administratës në portin e Vlorës.

Njoftimi i plotë:

Në Portin e Durrësit, pavarësisht reshjeve të shiut, situata paraqitet normale. Në Portin e Vlorës ka patur prezencë uji në afërsi të godinës së administratës por pjesa e terminalit ku përpunohen pasagjerët nuk ka probleme. Trageti u akostua me 45 minuta vonesë për shkak të kohës së keqe. Në Portin e Sarandës, për shkak të kushteve të vështira atmosferike, linja Korfuz-Sarandë-Korfuz nuk do të operojë. Në Portin e Shengjinit, nuk paraqiten probleme dhe puna vazhdon normalisht. Drejtoria e Përgjithshme Detare ka sinjalizuar kapitenerite e porteve që të njoftojnë mjetet lundruese për përkeqësim të mundshëm të motit në orët në vijim