Probleme të tjera janë shfaqur në aksin kombëtar Librazhd-Prrenjas, ku moti i keq me reshje intensive shiu ka shkaktuar rrëshqitje masive dheu në rrugë. Situata është krijuar pranë zonës së Kthesave të Dragostunjës, aty ku po zhvillohen punimet për Korridorin VIII.

Masivet e dheut kanë bllokuar segmentin, duke krijuar radhë të gjata automjetesh në të dyja drejtimet. Dhjetëra qytetarë dhe familje që udhëtonin në këtë aks kanë mbetur të bllokuar, ndërsa qarkullimi vijon të jetë i vështirë për shkak të kushteve atmosferike.

Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve presin ndërhyrjen për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e lëvizjes normale. Policia rrugore u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin, nëse është e mundur, qarkullimin në këtë aks deri në përmirësimin e situatës.